Numri i të akuzuarve është i lartë.
Prandaj, kryetari i trupit gjykues, në fillim të seancës urdhëron ata të ulen ashtu si janë të renditur në aktakuzë.
Kështu, nisi gjykimi për vrasjen e rëndë të 23 vjeçarit Fazli Hoxha, që ndodhi më 28 prill të vitit 2022 në parkingun e një restoranti në Mirushë të Malishevës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Nderim Gashi, Bastri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi dhe Fahri Gashi, fillimisht e kanë sulmuar viktimën me mjete të forta dhe më pas e kanë privuar atë nga jeta me armë zjarri.
Në aktakuzë, Prokuroria thekson se ata tentuan që t’i privojnë nga jeta edhe vëllezërit e tjerë të Fazli Hoxhës.
Në seancën e së hënës, të pandehurit që vijnë nga e njëjta familje, nuk u deklaruan rreth fajësisë, për shkak që seanca fillestare u shty për 23 shkurt.
Gjykatësi i kërkoi prokurores që ta plotësoj aktakuzën për të pandehurin Ylli Gashi.
Shaqë Curri, kryetar i trupit gjykues ka thënë se “Të qartësohet nëse Ylli Gashi akuzohet për një vepër apo dy vepra penale të ndihmës…”
Mbrojtësit e të akuzuarve kishin edhe kërkesa të tjera.
Emrush Kastrati, avokati ka thënë se “Ndersa e perkrahi vendimin e mbrojtesit. Jane nje familje te gjithe vellezer nga e njejta familje dhe duhet te lirohen. Nuk kam ndonje verejtje qenesore”.
Për ndryshimin e aktakuzës, prokurorja tha se nuk do t’i duhet shumë kohë, por kundërshtoi kërkesën e avokatit Emrush Kastrati.
Lumturie Vuçetaj, Prokurore ka thënë se “ Do ta rivlerësojmë, dhe në afat kohor, sa me të shkurtër, konsideroj brenda javës, do të njoftohet gjykata. Ekzistojne ende parakushtet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit sipas aktvendimit të gjykates”.
Përveç Fazli Hoxhës që mbeti i vrarë, lëndime kishin pësuar edhe dy vëllezërit e tij.
Këtij incidenti dyshohet t’i ketë paraprirë një rrahje në Itali mes viktimës Fazli Hoxha dhe njërit prej anëtarëve të familjes Gashi.