Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se në komunat veriore të Kosovës ka filluar ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishin në Cerajë të Leposaviqit ku ka nisur ndërtimi i shtëpive për familjen e Hajriz Aliut dhe të Bashkim Ibrahimit dhe në fshatin Bistricë tek familja e Muharrem Muharremit dhe e Artan Imerit.
“Banorët e Leposaviqit tashmë kanë infrastrukturë rrugore më të mirë për arsye të rrugës së asfaltuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se projekti për ndërtimin e shtëpive nga MAPL është një nga projektet qeveritare për ndërtimin e shtëpive duke pasur parasysh edhe shtëpitë të cilat do të ndërtohen në lagjen Kroi i Vitakut nga MMPHI.