Me këngë nacionaliste e pankarta në duar, nënat serbe të Kosovës kanë protestuar “kundër getos” së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Të organizuara, qindra gra dhe vajza kanë mbushur sheshin “”Knjez Lazari”.
“Gratë e bashkuara lirojnë geton”, “Nuk është modë, dua paqe”, “Kurti, nuk do të të paguaj haraç”, “Kurti nuk do të të jap fëmijë”, “Dua që djalin ta përgatisë për dasmë, Kurti mjaft më me konflikte”, janë disa nga pankartat që ato mbajnë në duar.
Një nga protestueset, ka thënë se qëllimi i tyre është paqja dhe jo lufta.
“Ne nuk duam luftë ne duam paqe. Ne nuk duam që fëmijët tanë të na pyesin çka janë barrikadat, ne dhamë qetësi”, ka thënë ajo.
Kjo protestë vjen si kundërpërgjigje e grave nga Veriu i Kosovës ndaj “shtypjes” që sipas tyre po pësojnë nga “pushteti i vendit”.
Kërkesa e një studenteje që ishte pjesëmarrëse në këtë protestë, ishte edukimi i mirëfilltë në vend.
“Unë dua t’iu pyes a e dini sa e vështirë është të shkoj në ligjerata me frikë. Të studiojmë në klasë me forca të policisë që na ndërprejnë. Të gjithë fëmijët në botë kanë të drejtë të mendojnë për karrierën e së ardhmës së tyre, pse ne jo, apo ne kemi faj për shkakun që studiojmë në universitet të Serbisë. Ne gjithë çka duam është karrierë dhe edukim të mirë në këtë vend. Ne nuk do të ndalemi”.
Lista Serbe, ka paralajmëruar se të mërkurën e 23 nëntorit do të ketë një tubim të madh në pjesën veriore të Mitrovicës me fillim në orën 15:00.
Kështu kishte deklaruar të martën Gordana Saviç, ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Do të organizojmë një tubim të madh në të cilën do të dërgohen mesazhe paqeje”, ka thënë Saviç në një konferencë për media.
Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët nuk mund ta tolerojnë “terrorin” e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet e Kosovës.
“Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më torturat që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka thënë Rakiq.