Mbështetësit e opozitës të drejtuar nga Sali Berisha, e nisën marshimin nga selia blu drejt Kryeministrisë.
Protesta zhvillohet njëkohësisht me gjyqin në Apel për vulën e Partisë Demokratike, ku do të vendoset ligjërisht nëse në krye të partisë më të madhe opozitare është Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj.
Tubimit i është bashkuar dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në një deklaratë për mediat, Meta ka thënë se “protesta lidhet me çështjet me ekzistenciale të pluralizmit të drejtave të qytetarëve dhe ky vendim është mbajtur për shkak të korrupsionit të Edi Ramës”.
Dhjetëra forca policie janë në gatishmëri për protestën e organizuar nga Berisha, teksa mësohet se ata janë pozicionuar para Kryeministrisë.
Me thirrjen “Mjaft është mjaft”, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke përdorur këtë herë si argumentin kryesor përfshirjen e kreut të qeverisë në çështjen “McGonigal”.
Protestuesit mbajnë në duar një dordolec të improvizuar si ish-shefi i FBI-së, Charles McGonigal, raporton Top Channel.
Sipas ish-kryeministrit Berisha, Rama ka kryer korrupsion me ish-zyrtarin e lartë në FBI, ashtu si oligarku rus, Oliver Deriaska.
Para fillimit të protestës në Tiranë, kryeministri Rama kishte zgjedhur që të rikujtojë nëpërmjet një postimi në Facebook, ngjarjet e 21 janarit.
Rama në reagimin e tij risjell në vëmendje audio-regjistrimin e publikuar së fundmi që tregon urdhrin e Gardës për hapjen e zjarrit me plumba luftarakë mbi turmën.
Kryeministri ka shtuar se drejtësia e vjetër dështoi të çonte përpara drejtësisë autorët dhe urdhëruesit e vrasjeve në bulevard, ndërkohë që uron që një gjë e tillë të mos ndodhë dhe me atë që ai e cilëson si drejtësi e re.