Të gjitha partitë parlamentare tashmë janë futur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku ka nisur seanca konstituive e legjislaturës së re.
Seanca po udhëhiqet nga deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër nga radhët e subjektit fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe nga më e reja, Sala Jashari.
Në rend dite të seancës së sotme është betimi i deputetëve të rinj dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, një prej pikave kyçe të kësaj seance.
Vetëvendosje, e cila ka dalë partia e parë me 48 ulëse, pritet të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, megjithëse deri në momentin e nisjes së seancës, emri i tij nuk ishte bërë publik.