NISMA Socialdemokrate ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, se zgjodhi të koordinohet me kryeministrin, Albin Kurtin, e jo me opozitën.
Në një komunikatë për medie, NISMA ka thënë se opozita duhet ta ketë vetëm një qëndrim të përbashkët, dorëheqjen e Albin Kurtit apo shkarkimin përmes mocionit, i cili do të rezultonte me shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje.
“I pamatur e i dëmshëm, veprimi politik i cili në vete jo vetëm se amniston keqqeverisjen e brendshme të Albin Kurtit, por edhe legjitimon kursin e gabuar diplomatik të kësaj qeverie. Kosovës i ka munguar zëri opozitar, andaj kërkesa për bashkërendimin e opozitës ka qenë natyrale, derisa hezitimi për të qenë pjesë e një fronti të bashkuar tanimë po deshifrohet me nxitimin e Memli Krasniqit, i cili para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Albin Kurtin. Në rrethanat aktuale, opozita duhet ta ketë vetëm një qëndrim të përbashkët, dorëheqjen e Albin Kurtit apo shkarkimin përmes mocionit, i cili do të rezultonte me shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se shpërndarja e Kuvendit pa dorëheqje ose shkarkim të qeverisë është bartje e fajit nga qeveria te Kuvendi.
“Shpërndarja e Kuvendit pa dorëheqje ose shkarkim të qeverisë është bartje e fajit nga qeveria te Kuvendi edhe pse përgjegjës për degradim të tërësishëm të shtetit në të gjitha sferat e jetës është qeveria dhe jo Kuvendi”, thuhet tutje.
NISMA Socialdemokrate u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive të mos pranojnë të shkarkohen nga qeveria, por të thërrasin seancë dhe ta shkarkojnë qeverinë.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, se duhet diskutuar me të gjitha partitë për datën e zgjedhjeve.
Krasniqi në anën tjetër ka thënë se ka kërkuar nga Kurti që sa më shpejt të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.