Të dielën në Istog dhe Klinë janë raportuar dy raste të dhunimit, ku viktima janë raportuar një 13 dhe një 14 vjeçare. Të dyshuarit për të dy rastet ku viktima dyshohet të jenë të miturat, janë dërguar në mbajtje, ndërsa janë paraqitur edhe kërkesat për paraburgim.
Rruga kryesore tranzit në Istog i ndanë shtëpitë e viktimës dhe të dyshuarit për dhunimin e saj. Fillimisht 13 vjeçarja në shtëpinë e 21 vjeçarit dyshohet se kishte shkuar me veturën e këtij të fundit. Udhëtimi ndërmjet dy fshatrave fqinje të Istogut dyshohet se ishte bërë pa pëlqimin e saj. Pas kësaj, gjithmonë sipas deklaratave që e mitura ka dhënë në Polici ka nisur dhunimi. Rasti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e të riut me inicialet M.L., në fshatin Kovragë.
Ky rast sipas Policisë është raportuar dje, ndërsa dyshohet se ka ndodhur javë më parë.
“Rasti ka ndodhur rreth një muaj më herët. Mirëpo gjatë intervistës viktima ka deklaruar se nuk ka mundur ta raportojë rastin pasi që ka qenë e kanosur nga i dyshuar”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
E pas veprimeve policore, sigurisht se në lëvizje është vënë edhe Prokuroria e Shtetit.
“I njëjti është arrestuar e më pas me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Dyshohet se dhunimi është kryer gjatë muajit gusht dhe për këtë çështje Proukori i Shtetit do të bëjë kërkeë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Radio Televizioni Dukagjini, ka qëndruar edhe tek familja e viktimës në komunën e Istogut. Ata nuk duan që të paraqiten para mediave, por thonë se gjithçka që kanë pasur për të deklaruar tashmë e kanë bërë në polici e prokurori, dhe se tani presin që drejtësia të veprojë.
Ndërkohë, as tek familja e të dyshuarit nuk duan që të flasin publikisht për rastin konkret. Prapa kamerës ata thonë se janë të prekur me këtë ndodhi, porse gjithcka e cilësojnë si trillim. Sipas tyre djali nuk posedon patent-shofer prandaj nuk qëndrojnë akuzat se ai me veturën e tij e ka marrë të miturën dhe e ka dhunuar seksualisht. Nëna e 21 vjeçarit insiston se djali asnjëherë nuk del me veturë rrugës, sepse nuk e lejon babai.
Por, ky nuk ishte rasi i vetëm i kësaj natyre që u regjistrua në regjionin e Dukagjinit. Edhe në Klinë të dielën është raportuar një rast i dhunimit.
Për dallim prej të parit, viktima është 14 vjeçe, ndërsa i dyshuari 23 vjeç. E mitura fillimisht ishte raportuar nga babai si e zhdukur. Me t’u kthyer nga Policia në shtëpi, babai e takon të miturën jashtë shtëpisë. Ajo i rrëfen atij, e më pas edhe në polici, se është dhunuar nga një person. Ngjashëm me rastin e parë, edhe i dyshuari për këtë rast, F.Sh., është ndaluar për 48 orë. Për njërin është paraqitur kërkesa për paraburgim, ndërsa për tjetrin Prokuroria po punon në atë drejtim.