Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një 17-vjeçar, ka therur më thike një 20-vjeçar në Ferizaj.
Në njoftim thuhet se pas një pune intensive të Policisë në terren dyshuari është arrestuar, kurse i lënduari është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pastaj është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
“Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve “Ramadan Rexha & Uran Tinova” në Ferizaj është një lëndim i rëndë trupor. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se një person me një armë të ftohtë ( thikë) ka lënduar rëndë një person tjetër mashkull, të moshês 20 vjeçar dhe është larguar në drejtim të panjohur.
I lënduari menjëherë për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësorë është transportuar për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga njësi të tjera kanë identifikuar të dyshuarin E.C ( M/K) i moshës 17 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren, në orën 19:30 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krim teknikët rajonal, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka vendosur për ndalimin e të dyshuarit për 24 orë.