Një 21 dhe 27 vjeçar nga Podujeva arrestohen afër kufirit me Serbinë

Dy të rinjtë nga Podujeva, një 21 dhe 27 vjeçar janë arrestuar të mërkurën e kaluar nga forcat serbe, meqenëse kishin hyrë në territorin e Serbisë për të prerë dru nëpër malet kufitare. Familja Hoti dhe Azemi thonë se për dy djemtë e tyre ka një javë që nuk dinë asgjë. Institucionet e Kosovës përpos që kanë treguar se kanë kërkuar informacione nga autoritetet serbe, nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Qelive në burgjet e Serbisë i janë shtuar edhe dy kosovarë të arrestuar nga forcat serbe.

Për herë të fundit ata janë parë në këtë pjesë të kufirit pas mesditës së të mërkurës.

Jemi rreth 500 metra larg kufirit me Serbinë, jemi në afërsi të pikës kufitar në Merdarë, në Podujevë. Rexhep Hoti 27 vjeçar dhe Gyven Azemi 21 vjeçar, gjatë ditës së mërkurë në javën e kaluar, e kishin kaluar këtë pjesë të kufirit dhe e kishin shkuar në territorin e Serbisë. Ata janë arrestuar menjëherë nga forcat serb.

Nëna e 21 vjeçarit tregon se çka e shtyu Gyven Azemin bashkë me djalin e motrës që të kalojnë në territorin e Serbisë.

“Për dru kanë dalur se nuk kemi pasur për vete për dimër, knej me shumarin na ka shkuar vera duka la dënime të tina. Edhe u kthyen sa për veti me u nxeh, edhe dolën me këtë golf 2, deri afër shkuan, këndej kufirit e kanë lënë kerrin edhe u shku për veti me i bartë drutë”, ka thënë Adile Azemi.

Arrestimi ka ndodhur rreth orës 16:00 ndërsa, Adilja dhe motra, Razie Hoti u njoftuan dy orë më vonë. Po atë natë, rreth orës 22:00 ato udhëtuan për në Kurshumli për t’i takuar fëmijët.

“Atë natë më nuk i kam parë qe një javë po bëhen, (cila ishte gjendja tyre), nuk po di si me të thënë ata duke qajtur po, nuk kemi shancë me fol me ta ishin 3 metra larg neve, nuk mundem me fol me ta, nuk na lejojshin”, ka thënë Razie Hoti.

Azemi tregon se të hënën Policia ishte për t’i marrë disa të dhëna, por nuk iu kanë dhënë detaje më shumë.

Policia e Kosovës detaje nuk ka dhënë as pas interesimit të mediave. Megjithatë Ministria e Punëve të Jashtme përmes Zyrave Ndërlidhës në Kosovë dhe Serbisë ka kërkuar informacion zyrtar për rastin.

“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur. Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Beograd. Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur”.

Edhe familja Azemi e edhe ajo Hoti thonë se u kanë thënë që djemtë e tyre janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në qytetin e Prokuples. Përpos një avokati serb të angazhuar sipas detyrës zyrtare, ato thonë se nuk i kanë mundësitë financiare për të angazhuar ndonjë avokat tjetër, e madje as për t’i vizituar djemtë e tyre.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika