Policia e Shtetit në Shqipëri, të mërkurën e 10 gushtit, ka njoftuar se është finalizuar operacioni policor i koduar “Trade”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë.
Ky operacion policor bëhej për një subjekt Call Center në Tiranë që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive. Gjatë ditës së sotme është vënë në pranga administratori i një subjekti Call Center, i cili procedon penalisht 5 punonjëse (operatore).
Shpallet në kërkim pronari i subjektit
“Sekuestrohen 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive”, thuhet në postimin e Policisë së Shtetit në Facebook.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit,
– L. Ll., 28 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti Call Center.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetaset V. L., 25 vjeçe, E. H., 22 vjeçe, I. P., 22 vjeçe, S. H., 26 vjeçe dhe A. Ç., 22 vjeçe, të pesta banuese në Tiranë, të punësuara si operatore në këtë subjekt.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi G. C., 31 vjeç, banues në Tiranë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi L. Ll. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin G. C., në rrugën “Myslym Shyri”. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuara si operatore shtetaset V. L., E. H., I. P., S. H. dhe A. Ç., të cilat, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex”.
Në postimin e Policisë së Shtetit shktruhet tutje se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj, që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.