Një çerek shekulli ka kaluar e nuk e di më ndjenjën e të mos pasurit mall e mërzi.
Lufta në Kosovë ia la Sylë Gashit sofrën thuajse bosh e vendin ku iu vranë familjarët, nuk e ka larg prej ku vazhdon të banojë.
“Për atje, djalin renë dhe qikën ma kanë vra prej shpisë së Thaçit me granatë. Qika ishte pesë javësh e nëna hanke dhe, baba po han dhe motra e djalit po hanë dhe. Katër të tjerë kanë qenë të plagun”, tha Sylë Gashi, banor i Izbicës.
Ai ka humbur edhe djalin e tij, të cilin ushtria serbe i kishin bërë pritën derisa kthehej nga detyra, në uniformën e UÇK-së, por dhimbje ka edhe për një prej shokëve që humbi atë ditë.
“Ish pas pshtu Hajzeri prej ktuhit, ka shku në kodër në kurriz dhe ka ra në pritë. Kishte rënë me fytyrë në Dushk. E kemi marrë e kemi pru këtu dikund, në katër vende këtu ishin kanë xhenazet, një vend atje, ma qatje. Ishin shku popullata, sahatat i kishin pas përjashtë. Kush ish ra me kry teposhtë nuk mujshe mi njoft se i kish shku gjaku teposhtë”, tha Gashi.
Antarë të familjes së ngushtë humbi edhe Blerim Behrami, përfshi vëllain e tij.
“Ka qenë ushtar. Dikush u dasht edhe me jap jetën për këtë vend. E pa gjakun e tyre na s’do ishim këu ku jem”, tha Blerim Behrami, banor i Izbicës.
Përkrah Rifat Jasharit, homazhe në Izbicë ka bërë edhe Kryeministri, Albin Kurti, që përmendi ndryshimet ligjore, që mundësojnë ndjekjen e krimeve të luftës edhe në mungesë, por sipas tij, për këtë kërkohet edhe diçka.
“Është jetike që pas dy dekadave e gjysmë të ketë gjykime në mungesë por edhe të ketë shumfishim të punës së prokurorëve, gjyqtarëve në mënyrë që ata kriminel të jenë prapa grilave. Sot mundësitë janë më të mëdha, pagat i kanë të larta, kushtet i kanë më të mira të punës. Krejt çka kërkohet është vullnet dhe dije të prokurorisë së shtetit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Më 28 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe rrethuan fshatin Izbicë duke vrarë e masakruar 147 persona, prej të cilëve 6 ende konsiderohen të zhdukur.
Viktimat, regjimi i Millosheviqit, kishte tentuar t’i fshehë në varreza masive, me shumë prej trupave të tyre që ishin gjetur në lokacionet si Petrovo Sello në Beograd, Novolan e Bistricë.