Të enjten e shtatë korrikut, Kosova do të vizitohet nga një delegacion i lartë i Këshillit të Aleancës Veriatlantike (NATO).
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënsja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.
Ajo ka njoftuar se delegacioni do të udhëhiqet nga zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana.
“Të enjten e 7 korrikut, një delegacion i lartë i Këshillit të NATO-s do ta vizitojë Kosovën. Zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana, do të jetë udhëheqës i delegacionit”, ka shkruar Lungescu.
The North Atlantic Council, led by Deputy Secretary General @Mircea_Geoana, will visit the #NATO-led @NATO_KFOR mission in Kosovo on Thursday 7 July.
ℹ️ https://t.co/6OotvIx5jw pic.twitter.com/LoRxYuPIwb
— Oana Lungescu (@NATOpress) July 6, 2022
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum, kishte kërkuar ndihmën e SHBA-ve, që Kosova të bëhet pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhet anëtare e plotë e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.
“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e SHBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, nga e premtja e 20 majit, Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar edhe 257 ushtarë të rinj.
Në ceremoninë e betimit të këtyre rekrutëve të rinj, që është mbajtur në kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me këtë numër të rekrutëve, FSK-ja gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.
Presidentja e Kosovës, Osmani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri dhe se në këtë drejtim po punojnë në përgatitjen më të mirë të ushtrisë së Kosovës.