Një ditë pas ndalimit të qytetarëve të Kosovës në kufij nga Serbia, në Bruksel takohen Bislimi dhe Petkoviq për çështjen e dinarit

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 18 prill në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e dinarit të Serbisë

Pavarësisht tensionimit të situatës pas ndalimit të qytetarëve të Kosovës në kufijtë e Serbisë, për herë të katërt me radhë sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në lidhje me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Takimet nisin në mëngjes, sipas praktikës së mëhershme.

Fillimisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do të takohet ndaras me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Më vonë, pritet të ketë edhe një takim trepalësh.

Ky është takimi i tretë në mes të kryenegociatorëve, dhe i katërti në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditë më parë tha se në të synohet gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Rundi i fundit i bisedime për këtë çështje në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës. Ndërkaq, Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili, sipas tij, ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Ky takim në Bruksel vjen një ditë pasi tensionet në mes të dy shteteve u rritën sërish, teksa Kosova akuzoi Serbinë se bllokoi në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë autobusë me udhëtarë nga Kosova dhe ndaloi disa zyrtarë policorë – shqiptarë e serbë – në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Prishtina tha se bllokimi i qytetarëve në territorin serb u bë për shkak të votës pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, organizatë ku shteti synon të anëtarësohet/Radio Evropa e Lirë.

Menjëherë pas votimit pro Kosovës në Këshillin e Evropës(KiE), Serbia si shenjë hakmarrjeje ndaj Kosovës ka filluar t’i ndalë qytetarët kosovarë në kufijtë e saj.

MPB: 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u ndaluan nga Serbia në kufi, vetëm pesë prej tyre janë liruar

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika