Policia e Kosovës e ka konfirmuar lëndimin e një personi si pasojë e rënies së një pjese të kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria”.
Viktima është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Këtë për Portalin Dukagjini, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ai.
Klinika Emergjente ka thënë për Portalin Dukagjini se një person është dërguar në këtë klinikë.
“E sollën tash te ne, vazhdojmë me procedurat”, tha drejtori i emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, për Portalin Dukagjini.
Në vendin e ngjarjes shihen ekipet e Emergjencës, të Policisë së Kosovës dhe ekipi i Zjarrfikëseve.