Shaban Pulkës nga Suhareka, i kishte vdekur babai në vitin 1996 në një aksident trafiku në Itali.
Për këtë humbje te madhe shteti italin familjen Pulka e kishte kompensuar menjëherë pas dy vjetësh që kishte vdekur kryefamiljari.
E sipas Shabanit, djalit të të ndjerit bëhej fjalë për afër një milionë euro, të cilat duket se u bënë problem familjar më pas.
Shaban Pulka, qytetar ka thënë se “Italia neve na ka dhënë 510 milion lira që në euro i bie diku një milionë euro për nanen teme dhe tre vëllezërit që jemi”.
Por, ato të holla nuk patën mundësi t’i përdorin asnëjherë familja Pulka.
Kjo pasi ato para i ishin dërguar në Kosovë xhaxhait të Shabanit, i cili po supozon që me ato të holla ka blerë tokë në Komunën e Suharekës.
Për çka edhe e ka paditur xhaxhain. Por, problemi po qendron tek trajtimi i kësaj lande.
Shaban Pulka ka potencuar se “ajo që ajo na çuditë sot dhe arsye pse po flas nuk është që agja jem më ka tradhtu por që gjykata e ka neglizhu rastin e i ka jap të drejtë një krimineli”.
I dyshuari tashmë jeton në Itali e sipas avokatit të palës së dëmtuar të gjitha kërkesat që ai të sillet në Kosovë janë bërë në mënyrë diplomatike.
Por edhe sipas tij Gjykata po e neglizhon rastin.
Skender Musa, avokat ka deklaruar se “Ftesa është bërë në të gjitha rrugët diplomatike dhe ende nuk ka konfirmim gjykata që e kanë ftuar në mënyrë të rregullt. Nëse nuk ftohet në mënyrë të rregullt atëherë gjykata duhet të caktoj një përfaqësues të përkohshëm pasi që interesat ekonomike, shpirtërore të familjes Pulka janë të dëmtuara nga veprimet e agjës së tyre”.
Akuzën për neglizhencë të rastit e ka mohuar Gjykata e Suharekës. Ata po thonë që kanë marr të gjitha veprimet e nevojshme që i padituri të vijë në Kosovë.
Gjykata e Suharekës ka theksuar se “Gjykata Themelore – Dega në Suharekë për lëndën në fjalë janë caktuar 14 seanca (katërmbëdhjetë seanca ndërsa përmes rrugëve diplomatike – Ministrisë së Drejtësisë – Divizionit për bashkëpunim juridik, Gjykata në vazhdimësi ka tentuar që të paditurit i cili jeton në Itali të komunikoj me të njëjtin ashtu që ti dorëzohen shkresat dhe ftesat tjera. Së fundmi, me datë 31.03.2022, përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridike, është kërkuar që shkresat e lëndës ti përcillen palëve të paditur të cilat me vendbanim janë në shtetin e Italisë. Me datë 27.01.2023, Ministria e Drejtësisë, ka njoftuar Gjyqtarin e rastit se kërkesa e gjykatësështë proceduar ne muajin prill 2022 tek autoritetet Italiane mirëpo nuk ka përgjigje nga këta te fundit”.
Gjykata e Suharekës po ashtu kanë thënë se seanca e radhës për këtë rast është caktuar me tetë mars të këtij viti.