Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten e 27 majit, ka bërë të ditur se Irfete Spahiun e ka dekretuar me gradën gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit ka shkruar FSK po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht.
“FSK-ja po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht. Vendosja e grave në pozita drejtuese do ta bëjë ushtrinë tonë më të fortë, më të besueshme dhe më profesionale. Pata nderin sot që gjeneral brigade Irfete Spahiun ta dekretoj me gradën gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale në FSK”, ka thënë Osmani.
Ajo, ndër të tjera, ka shtuar se është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe të ushtrisë që në hierarkinë e saj të jetë gjeneralmajore një grua.
“Gjenerale Spahiu është një ndër shtyllat e FSK-së, ndaj duhet bërë edhe më shumë që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe udhëheqjen e FSK-së”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, në vitin 2018, ajo ka bartur gradën gjeneral, duke u bërë e para me këtë gradë në FSK.