Një grua ka vdekur dhe 10 persona rezultojnë të zhdukur pas një stuhie të fortë që shkaktoi një rrëshqitje dheu në ishullin italian të Ischia.
Ishulli, në Gjirin e Napolit, u përfshi nga shi i madh gjatë natës, me rrëshqitje të dheut që goditi fshatin Casamicciola Terme herët të shtunën në mëngjes, duke përmbytur shtëpi dhe duke rrëmbyer disa makina, shkruan La Repubblica.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini kishte thënë më herët se tetë persona kishin vdekur.
Por deri të shtunën në mbrëmje pati një vdekje të konfirmuar me 10 persona ende të zhdukur.
Mes të zhdukurve është një familje me dy fëmijë, sipas lajmeve italiane. Mësohet se janë gjetur një çift me një fëmijë të porsalindur, të cilët gjithashtu dyshohej se ishin zhdukur. Një 60-vjeçar është dërguar në spital me plagë të rënda.
Në zonën e prekur është ndërprerë energjia elektrike dhe rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara në banesat e tyre në fshatin Lacco Ameno, ku raportohet se janë shembur disa ndërtesa.