Një person ka vdekur dhe rreth 30 pasagjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tren doli pjesërisht nga shinat në orët e para të mëngjesit të së martës.
Aksidenti ndodhi rreth orës 3:25 të mëngjesit në qytetin Voorschoten, afër Hagës, duke dërguar një karrocë në një fushë pranë shinave.
Siç ka raportuar BBC, shërbimet e urgjencës kanë thënë se përplasja gjatë natës ndodhi pasi treni që transportonte rreth 50 persona goditi një vinç ndërtimi pranë fshatit Voorschoten.
Po ashtu, edhe kompania e rrjetit hekurudhor “Pro Rail”, ka thënë se aksidenti ishte i lidhur me praninë e një vinçi ndërtimi të parë në afërsi. Një hetim i detajuar është duke u zhvilluar.
Imazhet televizive treguan një nga njerëzit duke përdorur ura të improvizuara për të kaluar një kanal që kalonte përgjatë shinave për të arritur në trenin e goditur në errësirë.
Shumë xhama në vagonët e trenit janë thyer. Nuk ishte e qartë nëse kjo ndodhi gjatë aksidentit apo kur pasagjerët tentuan të arratiseshin.
Pasagjerët e plagosur u trajtuan në shtëpitë afër binarëve dhe u transportuan me një flotë ambulancash në spitale, duke përfshirë një “spital fatkeqësie” të hapur në qytetin qendror të Utrecht.
Stacioni qendror pranë Leiden, i cili shtrihet mes Hagës dhe Amsterdamit, është mbyllur për shkak të incidentit.
Asnjë tren për dhe nga qyteti nuk pritet të qarkullojë të paktën deri në orën 16:00.
“Ky është një aksident tepër tragjik. Unë simpatizoj viktimat. Fatkeqësisht, ka edhe një fatalitet për të vajtuar. Mendimet e mia shkojnë për të gjithë familjen dhe miqtë e të përfshirëve”, ka thënë në një deklaratë kryebashkiaku i Voorschoten, Nadine Stemerdink.
Ingrid de Roos, një zëdhënëse e shërbimeve lokale të zjarrfikësve, ka thënë për emisionin e lajmeve WNL se një zjarr i vogël shpërtheu në pjesën e pasme të trenit, por u shua shpejt.