Dashuria që ka Hisen Paloja për klubin e qytetit është e veçantë dhe pa kushte. Për Vëllaznimin, 83-vjeçari ka qarë dhe në shumë raste edhe është fjalosur me personat që i kanë folur keq për kuqezinjtë.
“Që 70 vjet, mua më ka shkuar jeta pas Vëllaznimit. Kam qarë në shumë raste. Jam mërzitur, kam shkuar në shtëpi dhe kam qarë, por më shumë kam pasur momente gëzimi. Kur kam dalë jashtë Gjakovës, edhe jam ngatërruar me njerëz, krejt për shkak të Vëllaznimit”, tha Paloja.
Ai thotë për TV Dukagjini se sa herë që lojtarët stërviten në stadiumin e qytetit, është prezent tash e 70 vjet.
“Tash e 70 vjet unë e përcjelli rregullisht Vëllaznimin. Më herët kam qenë edhe në punë dhe e kam pasur më të vështirë, kurse tani jam afër tyre, jam edhe në stërvitje. Unë dal në stërvitje në orën kur dalin edhe lojtarët”, u shpreh ai.
Më herët, tifozi i veçantë i gjakovarëve i ka shikuar ndeshjet edhe si mysafir, kurse tani shkaku i moshës dhe i operimit, nuk po mundet të jetë afër ekipit jashtë Gjakovës.
Ai beson se Vëllaznimi do të rikthehet shumë shpejt në Superligë.
“Nëse shkojmë deri te vendi i parë, besoj që do të rikthehemi në Superligë. Pastaj, në Superligë besoj që do të organizohemi edhe më mirë dhe do të kemi suksese”, deklaroi Paloja.
Në fund, Hisen Paloja ka kritika të ashpra për gjyqtarët, që, sipas tij, nuk e duan Vëllaznimin.
“Gjyqtarët na kanë dëmtuar shumë. Nuk e di pse, por gjyqtarët nuk e duan Vëllaznimin”, përfundoi Paloja. Ai premton përkrahje të madhe për ekipin derisa të ketë forcë që të jetë prezent në stadium.