KFOR-i ka bërë të ditur se nga 27 shtatori deri më 2 nëntor të këtij viti, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO (KFOR) do të kryejë një stërvitje rutinë me një nga njësitë e tij, me ç’rast do të bëhet një rritje e përkohshme e numrit të trupave në terren.
Përmes një komunikate për media, KFOR-i bën të ditur se një kontigjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 11 shtator, për aktivitetet e njohjes dhe integrimit me asetet dhe personelin e KFOR-it përpara stërvitjes.
“Një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 11 shtator për aktivitetet e njohjes dhe integrimit me asetet dhe personelin e KFOR-it përpara ushtrimeve”, shkruan KFOR.
Aktivitetet stërvitore të njësive do të bëhen me qëllim të ruajtjes së nivelit të lartë të gatishmërisë e njëherësh, edhe për ruajtjen e një mjedisi të sigurt.
“Njësitë do të kryejnë aktivitete trajnuese për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë dhe kontributin e tyre për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet tutje në njoftim.
Përfundimi i stërvitjes shënon edhe largimin e kontigjentit ushtarak nga Kosova.