“Zhdërvjellja apo dialektika e idesë së kulluar me manifestimin konkret të asaj që nuk është gjithnjë e njëjta (e kulluar) e prodhon momentin e të paparashikueshmes, asaj që mendoj, në kontekstin e veprës sime janë ‘Anomalitë e shpirtit’”.
Kështu ka tregaur për portalin Dukagjini shkrimtari dhe filozofi, Flodian Maloku, për librin e tij më të fundit “Anomalitë e Shpirtit”, respektivisht, me atë se çka kupton me anomali dhe në cilin kuptim të shpirtit thërret kur artikulon gjithë titullin e veprës “Anomalitë e Shpirtit”.
“Titulli i librit sa flet për gjithë ndërmarrjen filozofiko-letrare aq edhe është vetëm një përcaktim nominal që thellohet në intencat e ideve që përpiqem t’i përçoj përmes rrëfimeve. Nocioni ‘Anomali’ nuk përdoret në definimin e saj parësor, ose prej spektrit zanafillor të dijës së cilës i takon, qoftë prej shkencave natyrore e deri të mjekësia”.
“Anomalitë” shënjojnë, aq sa përcaktojnë, një vijë demarkimi të ndërmarrjeve plotësuese të shpirtit sa edhe janë tejkalimi i saj. Pra, në qoftë se supozojmë se një gjësend është ashtu siç është sepse është brenda kufijve të tij që e bën atë të jetë ajo që është, e çdo tejkalim e zhvendos nga trajta e saj natyrore, mund ta interpretojmë si “Anomali”. Sigurisht, për ta penetruar ende më thellë, relacionin imanent të konceptit të “Anomalisë” me nocionin e “shpirtit”, nuk mjafton të reduktohemi vetëm në këto dy nocione, por edhe në qarkun dhe në të kundërtat e tyre. Në përpjekjen për ta definuar se çka është normalja?, E çka është e kundërta e shpirtit?
“Nëse dalim nga paradigmat klasike se ajo është trupi (lakmitë, pasionet, dëshirat), sigurisht që shpirti është i definuar përmes të kundërtës së saj si: fisnikja, e përhershmja, e kulluara, e virtytshmja”, thekson Maloku.
Më tuje, Maloku vazhdon se “titulli, sa flet për vetë çështjen nga optika abstrakte, e sa kërkon të gjendet nëpër kapilarët e ngjarjes, situatës, dhe ‘hutinës’ e subjektit që në njërën anë ka qëndrime racionale e në tjetrën shkrihen në paaftësinë për të mos qenë i paprekshëm, i ndikueshëm, i dhënë, e shpesh edhe vetëm pasojë”.
Ndërkaq, shkrimtari dhe filozofi Maloku i pyetur se a janë anomalitë ato që e thërrasin shpirtin të jetë në imanencë, të jetojë në botën e fenomenve, pasi sikur shpirti të mos kishe anomali, ai do të ishte një ‘qenie’ perfekte, dhe me këtë do të ishte në një botë që s’do të ishte ajo e fenomeneve, ai tregon se nuk e rimerr definicionin klasik të “shpirtit”.
“Nuk shërbehem me përmbajtjen e ‘shpirtit’ sipas Platonit, që e gjejmë te dialogu ‘Fedoni’ ku përmes dialogut përpiqen bashkëbiseduesit të argumentojnë mbi pavdekësinë e shpirtit. Anomalitë, për të cilat flas unë, e të cilat jam përpjekur t’i shtrij përmes dilemave, pozicioneve, vendimmarrjeve, shkakut e pasojës, tundimit, racionalizimit, zhbirimit, të gjithçkaje që i takon e që sillet rreth njeriut, e përballet me të, detyrimisht e shpërfaq në realitetin e botës së fenomeneve”, ka potencuar Maloku.
Ndërkaq, sa i përket ngurtësimit të shpirtit në rrafshin e imanencës, ai vazhdon “…nuk është e domosdoshme që shpirti, në kontekstin e definimit të imanencës si burgosje e mbyllje e pamundshme për t’u manifestuar në këtë realitet përmes zgjedhjeve që bëjmë, e ato zgjedhje që prodhojnë një kauzalitet që është i përjashtuar nga tabela e vlerësimeve aksiologjike. Përdorimin e termit ‘shpirt’ në afërsinë më të madhe që mund ta gjejmë në veprën time është ai i vokabularit Nietzsche-an, pra, jo në domenin e ‘qenies’ (që është diçka e pandryshueshme e përhershme identike me vetën dhe që jeton në një botë të ‘ideve’) por në domenin e ‘bërjes’ (werden) në të ndryshueshmen, ajo që përherë lëviz, ajo që ndërtohet, krijohet e bëhet. Në rrëfimet e mija, trajtohen probleme që kanë për qëllim të vënë në dritë çështjet e individualitetit, mungesën e saj në shoqërinë tonë e në përgjithësi. Në disa tregime, përpiqem ta ngris në krizë e në problem të madh, mungesën e individit, e individualitetit sot”.
Tek po flasim për anomali, mund të mendojmë se duhet të kemi një kurë për këto anomali, pra a e kemi një të tillë për t’i shëruar? Këtu Maloku na jep një përgjigje interesante duke thënë se “ato (anomalitë), nuk kanë nevojë të shërohen, sepse nuk kanë natyrën e një sëmundjeje që domosdoshmërish të dërgon në vdekje, ndonëse edhe kjo është një prej alternativave përfunduese, por kjo mund të shihet edhe në dritën e një momentumi ‘vegues’ për shpirtin, që të përpiqet të ngritët, të rritet, të ndërtohet, e të edukohet estetikisht, kishte me thënë Nietzsche”.
Më tej, Ai vazhdon duke thënë se “Megjithatë, në rrëfimet e mija, sigurisht ndër temat qendrore është edhe vdekja, dashuria, çnjerëzorja, raporti i njeriut me konvencat, dhe aftësia e njeriut për të përgënjeshtruar të vërteta, qofshin ato shoqërore, individuale, edhe miqësore. Pra, tematizohet edhe një anë e errët e qenies njerëzore, një pjesë djallëzore e shpirtit dhe një shpirt që mund të bjerë në humnerat e tij”.
“Një shpirt është aktualiteti i një trupi që ka jetë”, thoshte Aristoteli, dhe këtu mund të tërheqim një paralele kështu, nëse një shpirt është aktualiteti i një trupi që ka jetë, atëherë mund të presupozojmë se një shpirt me anomali nënkupton një jetë me anomali.
Këtij presupozimi, Maloku i replikon duke thënë se “’De anima’, është një shkrim i Aristotelit ku e trajton shpirtin si entitetin që mundëson që një trup natyror të etiketohet ‘i gjallë’. Vepra përbëhet nga tri libra. Është traktati i parë i njohur i antikitetit që merret në mënyrë specifike me shpirtin. Ndër të tjera, trajtohen çështjet e epistemologjisë, filozofisë së mendjes, psikologjisë filozofike dhe teorisë së veprimit. Aristoteli fillon duke theksuar në librin e parë se ‘ndër gjërat më të vështira’ është të marrësh njohuri të besueshme për shpirtin, por ky është një synim i vlefshëm, si për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj teme ashtu edhe për shkak të saktësisë së njohurive të arritshme”.
”Më pas, ai formulon pyetje që dëshiron t’i sqarojë: nëse shpirti duhet parë si një send individual (si një ‘diçka specifike’), si cilësi apo sasi; nëse është i pjesëtueshëm apo i papjesëtueshëm; nëse është i thjeshtë (homogjen) ose i përbërë; nëse shpirtrat e llojeve të ndryshme të qenieve kërkojnë përkufizime të ndryshme; nëse shpirti ka proceset e veta që nuk i përkasin të gjithë qenies së gjallë dhe prandaj, mund të ekzistojnë në mënyrë të pavarur”.
“Ai (Aristoteli) shprehet se, më parë “shpirti” kuptohej si shkak për të qenë gjallë, për perceptim dhe për vetëlëvizjen e qenieve të gjalla. Ai përshkruan pikëpamjet e paraardhësve të tij dhe i shqyrton ato për vlefshmërinë e tyre, duke arritur në përfundime negative: Shpirti nuk mund të përkufizohet si ai që lëviz vetë, as nuk lëviz në një rreth, as nuk është një harmoni, një numër ose një hapësirë a objekt i zgjeruar i entitetit i përbërë nga elementet”, ka shtuar ai.
Sipas Aristotelit, një shpirt është aktualiteti i një i një trupi që ka jetë, dhe me këtë a mund të presupozojmë se një shpirt me anomali nënkupton një jetë me anomali mese mund ta quajmë kështu?
”Mirëpo, e thënë pak më lart, se po qe se je shpirt, je domosdoshmërisht i prekur nga anomalitë, të cilat e bëjnë një shpirt të jetojë në ‘temperamentin’ e tij për t’i shpalosur fuqitë dhe energjitë e tij. Në rrëfimet e mija, sigurisht që si temë qendrore vazhdimisht potencohet rëndësia e madhe e jetës, vullneti dhe përpjekja e vazhdueshme për të kontribuuar në kualitetet e jetës, shpeshherë në mënyrë të drejtpërdrejt, e nganjëherë edhe me të kundërtat e saja, që përmes vdekjes të ringritemi në vetëdijen e rëndësisë për jetën”.
Shkrimtari dhe filozofi, Flodian Maloku, për fund na bën të qartë që të jemi të vetëdijshëm që gjatë leximit të veprës “Anomalitë e Shpirtit”, që ‘anomalitë’ mos të shihen si diçka e ‘keqe’ dhe nga këndi i pesimizmit dhe mohimit.
“…Shpirti zhytet në anomalinë e tij, natyrshëm, herë me vetëdije të plotë nga asnjë pamundësi për të mosdalur, dhe nganjëherë e gjenë vetën e tij të burgosur në lirinë që supozon se është amplituda e ngritjes. Prandaj, anomalitë munden edhe të zhvillohen në përputhje me një realitet të caktuar, po edhe mund të jenë pjesë e një rruge të gjatë vetëreflektimi, pra, Anomalitë si të tilla, jo domosdoshmërisht, duhet të përvetësohen e të shihen nga këndi mohues e negativ i definimit të saj. Sikurse, në rrëfimet që kam paraqitur, jo gjithnjë gjithçka mbetet vetëm duke u shfaqur si problem, po edhe si të pashfaqura, të ndrydhura, prodhojnë momente të caktuar”.
”Unë jam përpjekur të paraqes edhe rëndësinë e relacioneve në mes individëve, dhe që në mes tyre nuk ekziston një mostër e përcaktuar qartë që definon qoftë sjelljen njerëzore, qoftë edhe përpjekjen për t’u ngritur intelektualisht e edhe emocionalisht. Në situata të njëjta, ndodhin gjëra të ndryshme mes njerëzve të ndryshëm, po në mes njerëzve të ndryshëm në situata të ndryshme ndodhin gjëra të njëjta, e shpërfaqen fenomene, ide, dëshira, përpjekje, botëkuptime që rriten, e vullnete që tkurren. Gjithçka, është asgjë, e prej asgjësë, mund të fillojë diçka: si një fillim i përhershëm. Prandaj, rrëfimet në veprën time mund të lexohen veç e veç të ndara nga njëra-tjetra, e ku asnjëra nuk është e kushtëzuar në ‘mikrokozmosin’ e asaj çka mëtojnë të paraqesin, me ‘makrokozmosin’ kuptimësor, të veprës si të tërë. Po, në të njëjtën kohë, nga një perspektivë tjetër, të gjitha rrëfimet, të lexuara e studiuara ngadalë, arrijnë të krijojnë imazhin e përgjithshëm të faqeve të pazbuluara të një realiteti e njohjeje më të gjerë, mbi dritën dhe errësirën e qenies njerëzore”, ka thënë Maloku për portalin Dukagjin.
“Në fund, vepra ime, sigurisht do të jetë një aventurë e veçantë për të gjithë dashamirët e letërsisë dhe filozofisë, të cilat kanë dëshirë të jenë të cytur e rrëmbyer nga ide, pyetje dhe bashkëlundrim me mendime që sa janë konkrete aq edhe ngritën në komplekse abstrakte.”