Pavarësisht takimeve të fundit pa rezultate konkrete në Bruksel për çështjen e dinarit serb, marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vihen në pikëpyetje nga ndërkombëtarët pikërisht për këtë çështje.
Lidhur me këtë situatë, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka theksuar se është bërë një “propagandën e madhe”, dhe se Qeveria e Kosovës është bashkëfajtore se pse ka devijuar çështja e dinarit deri në këtë masë.
Arifi ka thënë se problemi kryesor nuk është vetë vendimi, por mungesa e një komunikimi nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve me partnerët ndërkombëtarë.
“Pra, krejt problemi është te moskomunikimi i duhur i Qeverisë me partnerët tanë apo i institucioneve tona mbi bazën e një vendimi”, ka deklaruar Arifi në një intervistë për Dukagjinin.
Sipas tij, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit, nuk do të duhej të diskutohej në Bruksel, pasi po të kishte pasur koordinim, kjo çështje do të mbyllej në qetësi dhe pa ndonjë zhurmë të madhe.
“Tash jemi para një akti të kryer, çështja është se sa mund ta sanojmë dëmin i cili është bërë”, ka shtuar Arifi.
Pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, ndërmjetësuesi evropian, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se ka pyetje politike që mbeten pa përgjigje, duke lënë hapur nevojën për takime shtesë.
Për këtë, Arifi ka thënë se pyetjet e kërkuara nga Lajçaku janë pikërisht për shkak se pa një vendim politik është e vështirë të shihet se mund të ndodhë ndonjë zbatim teknik i ndonjë rregulloreje.
“Prandaj, mendoj që niveli politik një lloj mënyre i ka lërë vetëm BQK-në që ta shpjegojë, por ia ka dërguar për t’ia shpjeguar se çka është rregullorja që BE-ja e di se çfarë është. Por, pyetjet e hapura janë ato vendimet politike se çka dhe se si të shkohet tutje, për të cilat normalisht që kanë munguar në këtë takim”, ka deklaruar Arifi.
Po ashtu, ai ka shprehur bindjen se diskutimet e vazhdueshme në Bruksel do të çojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen e dinarit serb.
Megjithatë, Arifi ka theksuar se është koha për një dialog të zgjuar dhe të durueshëm, duke evituar presionin për një mbyllje të shpejtë të çështjes.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 shkurt se Qeveria është e vetëdijshme se rregullorja e BQK-së prek një pjesë të qytetarëve nga komuniteti serb dhe për këtë arsye, do të marrë masa për zbutjen e pasojave.
Bislimi ka thënë do të jenë dhjetë masa “përmes të cilave do të sigurohemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë periudhë kalimtare të formalizimit të transaksioneve të pagesave”.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, së fundmi ka thënë se ShBA-ja është e pakënaqur me cilësinë e partneritetit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Më tej, Hovenier ka shtuar se zbatimi i Rregullores së BQK-së ka ndikuar në uljen e cilësisë së partneritetit.
“Presioni i BE-së për dinarin ndaj Kosovës, i panevojshëm”
Analisti politik, Visar Ymeri, lidhur me deklaratat e ambasadorit Hovenier ka theksuar se nuk janë të reja dhe se i ka thënë edhe më herët.
“Janë thënë edhe më herët që ShBA-të, ambasadori Hovenier dhe i tërë establishmenti që merret me politikën e jashtme të ShBA-ve nuk e shohin Kosovën si partnere, nuk kanë bashkëpunim me Qeverinë e Kosovën”, ka thënë Ymeri në Debat Plus.
Sipas Ymerit, një ndër pasojat do të jetë një lloj “abstenimi” që për sa kohë të kemi një Qeveri si kjo aktuale dhe me këtë sjellje, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë fare energji që të merren me Kosovën.
Politologu Albinot Maloku ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se po i bën presion të panevojshëm Kosovës lidhur me çështjen e dinarit serb në veri të vendit.
“Vendimet e mira po merren pa takt dhe në situata jo të favorshme dhe po konvertohen në politike, dhe kjo po bëhet përsëritëse. Dhe pjesa e dytë, gjithë ky presion konsideroj se është jashtëzakonisht i panevojshëm, tentimi maksimal të konvertohet gjithçka çdo çështje e brendshme, edhe këtë e gjykoj si të padrejtë në raport me Kosovën nga BE-ja, sidomos kur ke një palë [Serbinë], që nuk ka qenë e angazhuar të jetësojë pjesë nga premtimet e saja në vazhdimësi në raport me Kosovën,” ka deklaruar Maloku në emisionin “FIVE”.
Kujtojmë se, edhe sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, një intervistë për Zërin e Amerikës, kishte thënë se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.
Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë diskutuan për këtë rregullore të BQK-së më 27 shkurt në Bruksel, por pa ndonjë rezultat konkret.
Lajçak ka deklaruar se do të duhen takime shtesë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë, po ashtu, se Kosova dhe Serbia duhet t’i vazhdojnë urgjentisht bisedimet për këtë çështje.
BQK-ja e ka publikuar rregulloren e re më 17 janar dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.
Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.