Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të dyshuarve D.S, XH.M, H.H, T.SH për vepra të ndryshme penale.
Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale si “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia” dhe “Mbajtja në pronësi apo posedim i paautorizuar i armës”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit D.S, XH.M, H.H, T.SH gjenden në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së të pandehurve, të njëjtit po të gjenden në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale dhe mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë”.
Tutje, Gjykata ka vlerësuar se duke marrë parasysh rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, e kaluara e tyre kriminale si dhe marrë parasysh peshën e këtyre veprave penale, nëse të pandehurit lihen në liri, do t’i përsërisin veprat penale apo të ngjashme, andaj këto “rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara nga neni 187 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.S, XH.M, H.H, T.SH”.