Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për vrasjen e 67-vjeçares në Dragash

Të dyshuarës N.A, e cila po dyshohet se vrau kunatës e saj 67-vjeçare, S.D, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh

Gjykata Themelore në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës N.A, e cila po dyshohet se vrau kunatës e saj S.D (67-vjeçare).

Gjykatësi, Xheladin Osmani, tha se masa e paraburgimit ndaj saj caktohet në afatin kohor prej 30 ditësh, dhe atë prej 27 dhjetorit 2022 deri më 27 janar 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën dëgjimore, prokurori, Metush Biraj, pas leximit të dispozitivit të aktvendimit për fillim të hetimit dhe kërkesës për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarën N.A, tha se ajo ka përdorur dhunë fizike, ku si pasojë, viktima ka vdekur.

“E pandehura N.A, në fsh.Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30 minuta vdes viktima S.D”, ka thënë prokurori Biraj.

Biraj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, me arsyetimin se e ajo mund të ndikojë në zhvillimin e hetimeve dhe te dëshmitarët për zhvillimin e mëtutjeshëm të rastit.

Ndonëse mbrojtësi i të dyshuarës, avokati Besim Morina, i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka thënë se e kundërshton kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke thënë se e dyshuara, edhe më parë edhe tani, nuk është në gjendje stabile emocionale dhe me shëndet, as më parë e as tani.

Po ashtu, ai tha se ajo para organeve policore e ka pranuar fajin dhe vërtet ndjehet thellë e penduar, ngase nuk ka vepruar për t’i shkaktuar ndonjë dëm të rëndë, për t’i shkaktuar vdekjen e të ndjerës. Krahas kësaj, e pandehura N.A, gjatë seancës së paraburgimit, e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.

“Po e kam rrahur vallahin, e kam rrahut, mbas 3-4 dite ka vdekur. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pasur, që 26 vjet u kanë në shtëpi time, e kam ruajtur, jam kujdesur”, tha e dyshuara.

E dyshuara N.A është arrestuar të martën, ku në prani të mbrojtësit të saj, e ka pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.

Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën, në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë.

Prokuroria Themelore në Prizren ka treguar detaje për vrasjen e 67-vjeçares në Kuk të Dragashit.

RTV Dukagjini ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, në të cilën, thuhet se tashmë e ndjera, Saime Domazeti, ishte goditur me një dru të ahut dhe jo vetëm, në të gjitha pjesët e trupit. Goditje të tilla i kishin shkaktuar gjakderdhje në tru viktimës duke shkaktuar njëherit, edhe vdekjen e saj.

“Për shkak të dyshimit të bazuar, se me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes motrën e bashkëshortit, me të cilën, ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me dt.23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës, Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të pandehurës, Nazire Abdyli, në fshatin Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatrësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë me gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa here viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi, me datën 26.312.2022 rreth orës 05:30 minuta, vdes viktima, Saime Domazeti”, thuhet në dokument.

67-vjeçarja, e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit, në mëngjesin e së hënës, dyshohet se ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.

Këtë për RTV Dukagjinin, e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.

“Më datë 21.12.2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale ‘Dhuna në familje’, përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllait të saj”, thuhet në përgjigje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika