Gjykata Themelore e Prizrenit i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, të dyshuarit F.K., për kanosjen e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
I është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji nga Gjykata Themelore e Prizrenit, të dyshuarit F.K, për kanosje të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Në njoftimin e gjykatës, të premten, bëhet e ditur se i dyshuari F.K, ka kanosur kryetarin Totaj, si shkak i një mosmarrëveshjeje paraprake lidhur me një kontest pronësor.
“I pandehuri F.K., me datë 24 janar 2023, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe atë te dëmtuarin Sh.T.,– Kryetar i Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që për shkak mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se ‘thuaj djalit të Kryetarit le t’i thotë babës vet, le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrëzon shtëpinë, unë djalin e tij ose e rrahi ose e mbys krejt’, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, edhe më 6 dhjetor të vitit të kaluar, të pandehurit i ishte iniciuar hetim për të njëjtën veprën penale ndaj të dëmtuarit të njëjtë.
Ndërkaq, i pandehuri është edhe përsëritës i veprave penale në tre aktgjykime të plotfuqishme.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të martën e 24 janarit, është kërcënuar nga dy persona të dyshuar.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Dje rreth orës 20:00, është raportuar se dy persona, një person përmes tjetrit ka dërguar mesazhe kërcënuese ndaj Shaqir Totajt”, ka thënë ai.
Sipas tij, rasti dyshohet se ka ndodhur për një pronë që e pengon rrugën në tranzit.
Kërcënohet kryetari i Prizrenit – Shaqir Totaj, ndalohen dy persona për 48 orë
Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i kësaj mase është i domosdoshëm e njëherit i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës së njëjtë apo kryerjes së ndonjë vepre edhe më të rëndë.