Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit T.D, i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës, ekziston dyshimi se i pandehuri T.D me datë 29 nëntor rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve Naim Mureslit dhe Granit Plavës, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale “Vrasje e Rëndë” e të tashmë të ndjerës Liridona Ademaj.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T.D për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Gjykatës, po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikojë në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.
Më 9 dhjetor, Policia e Kosovës kishte arrestuar personin e katërt që dyshohet se është përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Personi i katërt është arrestuar për shkak se dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselit dhe Granit Plavës.
Liridona Ademaj u vra në Bërrnicë të Prishtinës më 29 nëntor. Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.
Lidhur me rastin janë arrestuar edhe tre persona, përfshirë edhe bashkëshorti i së ndjerës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridonën.
Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes. Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.