Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.S., i dyshuar për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në fillim të kësaj jave në komunën e Podujevës.
Lajmin e ka konfirmuar për portalin Dukagjini, zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet ndryshe në njoftimin e Gjykatës.
Lexo edhe: Arrestohet një i dyshuar për vrasjen në Podujevë
Arrestimin e të dyshuarit e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Gjithçka nga vrasja e rëndë në Podujevë
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur të hënën e 11 shtatorit në qytetin e Podujevës, ku një person është vrarë, ndërsa gruaja e tij është plagosur.
Rastin tragjik e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës, gjersa motivet e rastit ende nuk dihen.
“Rreth orës 12:30 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjentë është konfirmuar se një person është pa shenja jete, ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur”, ka njoftuar të hënën zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Si ndodhi ngjarja?
RTV Dukagjini ka mësuar se e gjithë ngjarja e rëndë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë kishte ndodhur në sytë e fëmijës së tyre katërvjeçar.
Xhaxhai i viktimës tregon se i ndjeri nuk ka pasur probleme më herët dhe se me të njëjtin ishte parë në mëngjes.
“Kanë qenë në mëngjes tek unë, kemi pi kafe me të dhe gruan e tij, më vonë shkuam te shtëpia e tij, më thirrën të shkoj deri në market të blej harq për shtëpi, unë dola deri në qytet. Nuk e di për çka u kon vrasja, nuk na ka tregu që ka pasë me dikë problem. Allahu e di qysh do të kryhen këto raste, nuk kanë pasë probleme më herët, edhe bashkëshortja është e familjes së mirë, edhe atë e kanë rrok plumbat, djali 4-vjeçar ka qenë afër tyre në momentin e ngjarjes”, ka deklaruar xhaxhai i viktimës.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e rastit.
“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Kjo është vrasja e dytë për të cilën policia ka raportuar vetëm brenda muajit shtator.