Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin E.I., i cili po hetohet për dhunim seksual ndaj një 15-vjeçareje në Ferizaj.
Sipas dyshimeve të hetuesve, ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, kur E.I. mori vajzën e mitur në veturën e tij.
Ai i ka ofruar asaj substanca narkotike në formën e cigares dhe, pasi ka vërejtur se ajo nuk ishte plotësisht e vetëdijshme, i ka ofruar edhe një cigare tjetër me marihuanë.
Dyshohet se më pas në një fshat në Ferizaj e ka detyruar të kryente aktin seksual me forcë, kundër dëshirës së saj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar për këtë rast, dhe ka theksuar se të mitura ka përjetuar frikë, ankth dhe shqetësime emocionale të mëdha, për shkak të veprimeve të dyshuara të E.I. Pas ngjarjes, ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore për pasojat psikologjike që ka përjetuar.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se gjatë muajit janar 2025, në kohë të pacaktuar, në një fshat të komunës së Ferizajt, përkatësisht brenda veturës së markës “Golf VI”, i pandehuri e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën e mitur e moshës 15 vjeçare, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e merr të dëmtuarën e mitur në veturën e tij tek parku i qytetit dhe gjatë shëtitjes i ofron substancë narkotike në formë të cigares dhe pasi bindet se e njëjta nuk është plotësisht e vetëdijshme, e shfrytëzon rastin dhe e ndalon veturën kinse për të pushuar dhe i jep përsëri edhe një cigare me marihuanë, ashtu që përkundër kundërshtimit të të miturës, i pandehuri me veprimet e tij të vazhdueshme pa dashjen e saj, dhe me forcë dyshohet se ka kryer akt seksual, me ç` rast e dëmtuara ka pasur frikë, ankth, shqetësim emocional dhe gjendet në një gjendje të vazhdueshme të rënduar psiqike, për të cilat e dëmtuar ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.