Në një klasë të Gjimnazit “Ahmet Gashi” ka ndodhur një rast mjaftë i rëndë por edhe i padëgjuar më parë.
Pas një përleshje mes dy nxënësish njëri ka shpuar tjetrin me stilolaps në kokë, duke e goditur atë.
Të dy nxënësit janë të klasës së dhjetë dhe ngjarja ka ndodhur ditën e hënë.
“Diku rreth orës 15:00, brenda në klasë ka ndodhur në momentin kur nxënësit kanë qenë në pauzë pesë minutshe. Sipas nxënësve që kam bisedu me ta, ka qenë një perleshje, e goditja sipas nxansave gjithmonë ka qenë me një laps kimik”, ka bërë të ditur drejtori i Gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj.
E për nxënësin, i cili ka ushtruar dhunë është marr një vendim nga shkolla.
“Masat menjëherë i kemi marr ndaj nxënësit që e ka goditë, menjëherë është larguar nga shkolla”, ka thënë Metaj.
E pas lëndimit që ka pësuar, nxënësi është dërguar menjëherë në emergjencë.
“Shumë mirë është tashmë, e kemi pranu dhe pastaj e kemi liru pas trajtimin, ka qenë nxënës me uniformë shkolle, nxënësi ka qenë i lënduar në kokë”, ka deklaruar Avdush Bajgora nga Emergjenca.
Vlen të theksohet se për rastin kanë qenë të njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë vijojnë mësimin mbi 1 mijë nxënës.