Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2021.
Në mesin e këtyre zyrtarëve është edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë kundër Korrupsionit, ku prej pasurisë së tij, shuma e parave të gatshme ka arritur vlerën prej 5 mijë e 449 eurove.
Prej shumës së lartpëmendur kursime janë 2 mijë e 800 euro, të cilat ruhen në institucionin financiar, bankën BKT.

Kurse detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë të deklaruara nga kryetari Konjufca arrijnë shumën e 67 mijë e 125 eurove, me kohëzgjatje deri në 12 vite.

3 mijë e 95 euro e 10 cent është shuma neto e pagës mujore që Konjufca merr nga Qeveria.
Ndërkaq, bashkëshortja e kryetarit Konjufca merr pagën në vlerën prej 640 eurove.

Në kuadër të kategorisë së pasurisë së paluajtshme, Glauk Konjufca ka deklaruar një banesë me 100 metra katrorë, e cila është blerë në vlerën prej 67 mijë e 125 mijë eurove, përmes kredisë.

Konjufca, sa i përket kategorisë së pasurisë së luajtshme, posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale dhe posedimit të letrave me vlerë nuk ka deklaruar asnjë posedim të pasurisë.
