Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,ka njoftuar se një përmbaruesit privat i është hequr licenca. Një gjë e tillë, sipas Haxhiut, ndodh për herë të parë.
Përmes një konference për media, Haxhiu ka treguar se Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka konstatuar se përmbaruesi privat ka kryer shkelje disiplinore në vazhdimësi.
“Është hera e parë që dje një përmbaruesi privat ia kemi hequr licencën. Komisioni Disiplinor për përmbarues privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me rastin e shqyrtimit të kësaj çështje, ka gjetur se përmbaruesi privat ka kryer shkelje disiplinore në mënyrë të përsëritur, ka marrë vendim për shkarkim nga detyra”, ka thënë Ministrja Haxhiu.
Ndër të tjera, Ministrja Haxhiu ka thënë se një vendim i tillë ka ndodhur për herë të parë dhe kjo si shkak që “Komisionit ia kemi lënë duart e lira”.
Ajo nuk ka pranuar të japë detaje të tjera lidhur me rastin duke thënë se vendimi do të publikohet shumë shpejt në webfaqen e Ministrisë së Drejtësisë.
“Është rasti të kuptojnë të gjithë se ata që punojnë në kundërshtim me ligjin, s’mund t’i kryejnë detyrat që ia ka besuar shteti i Kosovës. U bëj thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve nga përmbaruesit privatë apo noterët”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, për Gjykatën Speciale, Haxhiu ka thënë se Qeveria Kurti nuk mund të mbajë përgjegjësi.
Pasi është pyetur në lidhje me rezultatet që pret nga drejtimi që do t’i bëjë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Këshillit të Evropës për rezulotën kundër Dick Martyt, Haxhiu ka thënë se është herët të deklarojë një qëndrim.
E këtu, Haxhiu ka përmendur edhe Specialen.
“Është herët të japë një qëndrim për këtë. Por, ju e dini që Specialen e kanë futur në Kushtetutën e Kosovës. Ne Gjykatën Speciale e kemi gjetur si fakt të kryer. Nuk mund të mbahemi përgjegjës si qeveri për këtë”.