Pas tërmetit jashtëzakonisht të fortë me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter që goditi Bosnjën dhe Hercegovinën gjatë mbrëmjes të së premtes, ky vend u godit edhe nga tërmete tjera me intensitete më të ulëta në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Kështu, gjatë gjithë natës, lëkundje të shumta janë regjistruar në zonën më të gjerë të Bosnjës dhe Hercegovinës, me epiqendër në Stoca dhe rrethinë të saj, rreth 9 kilometra larg qytetit Ljubinje.
Sipas autoriteteve boshnjake, një person ka humbur jetën, disa të tjerë janë lënduar, ndërsa dëme të mëdha materiale janë shënuar në të gjithë zonën.
Një grua 27 vjeçare u plagos, kur një gur ra në shtëpinë e saj në qytetin Stolac, afër Mostar. Disa të tjerë mbetën të plagosur lehtë, mes tyre edhe anëtarë të familjes së viktimës.
Tërmeti, gjithashtu, rrëzoi mure dhe shkaktoi dëme materiale në disa lokalitete të tjera, duke përfshirë Mostarin dhe qytetin e Ljubinjes.
Dridhjet janë ndier edhe në disa qytete të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Çdo tërmet i madh, zakonisht, pasohet nga disa lëkundje të vogla, që në përgjithësi nuk shkaktojnë dëme materiale, por janë një dukuri natyrore që vijojnë pas tërmetit të parë.
Tërmeti i parë në Bosnjë dhe Hercegovinë me magnitudë 5.6 ballë të shkallës Rihter është regjistruar gjatë ditës së premte në orën 23:10.
Më pas toka ka vazhduar të lëkundet, dhe, sipas të dhënave të Institutit Federal Hidrometeorologjik, një tërmet i ri është regjistruar në orën 1:34 me magnitudë 2.7 ballë të shkallës Rihter e pastaj këto lëkundje kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, epiqendra ishte në Stoca dhe bëhej fjalë për një zonë jashtëzakonisht sizmike.
Kjo lëkundje shkaktoi një natë pa gjumë për shumë qytetarë. Mediumi boshnjak shkruan se bëhet fjalë kryesisht për mure të plasaritura dhe shembje të tyre.
Ballkani është i prirur ndaj aktivitetit sizmik dhe tërmetet janë të shpeshta.
Një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, më 29 dhjetor të vitit 2020 në Petrinja të Kroacisë, afër kryeqytetit Zagreb, vrau shtatë persona dhe shkatërroi qindra ndërtesa dhe shtëpi.
Ndryshe, në mars të vitit 2020, Zagrebi u godit nga një tërmet 5.3 ballësh që shkaktoi dëme të mëdha.
Në nëntor të vitit 2019, më shumë se 50 njerëz u vranë në Shqipëri nga një tërmet 6.4 ballësh që la, gjithashtu, mijëra të pastrehë.