Një raport i ri për Kosovën para Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Një takim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në selinë e OKB-së në Nju Jork të mërkurën, 26 shtator 2018.

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, ka bërë thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur përkrahje për kornizën e re të dialogut.

Ziade ka thënë se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në çështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”, ka thënë ajo, duke përmendur si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës së 23 prill, nga serbët.

Ajo ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbi jo vetëm që i kishin larguar të dyja palët nga tentimet për normalizim të marrëdhëniet përmes dialogut, por edhe i kishin vënë “afër skajit për konfrontim fizik”.

Duke folur për zgjedhjet në veri, Ziade ka theksuar se ato ishin paqësore, por “në të njëjtën kohë, pyetja e përfaqësimit duhet të adresohet si pjesë e procesit politik më të gjerë”.

Tutje, Ziade ka shtuar se gjatë punës së saj, “sentimentet më të shpeshta, me të cilat përballem, janë frustrimi dhe shqetësimi për të ardhmen e pasigurt. Por, po aq e shoh edhe shpirtin dhe vullnetin për të punuar, për ta krijuar një realitet më të mirë”, raporton REL.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuarapo po diskuton raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Në seancën që po mbahet në Nju Jork dhe kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiq.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin, liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Potenciali i një kornize të re dialogu

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për ta çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai ka thënë se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për ta ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.

“Palët janë zotuar plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] në vitin 2011”, ka shkruar Guterres.

Ai ka shtuar se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”.

“Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet – si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit[të dhunës]”, ka shkruar tutje Guterres.

Çelësi i kthimit në institucione

Në raport, ku nuk janë përfshirë zgjedhjet lokale që u mbajtën javën e kaluar në katër komuna në veri të Kosovës, Guterres ka deklaruar se përparimi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “kyç për krijimin e kushteve për kthimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës në veri”.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019, janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika