Këto dy goditje me shkop, ia morrën jetën Muhamet Ismajlit.
Atë e goditi Besmir Ismajli, përgjatë një përleshje, e cila ndodhi si shkak i disa punimeve në një pronë.
Për këtë veprim, Besmir Ismajli është dënuar me 18 vite burgim.
Mirëpo, për veprën e njëjtë penale, vrasje e rëndë, me nga 18 vite burgim u dënuan gjithashtu edhe Samet e Fisnik Ismajli.
Që të tre, ishin gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan, që fillimisht i kishte dënuar me nga 21 vjet burgim.
Por edhe pse dënimet u zbutën nga Apeli, lartësia e dënimit nuk është pritur mirë nga familjarët e të dënuarve, në veçanti për Samet e Fisnik Ismajlin.
Ismet Ismajli, babai i Besmirit, thotë se përveç djalit të tij, askush tjetër nuk e goditi të ndjerin Muhamet Ismajli.
I dënuari Ismet Ismajli ka thënë se “Ata dy nuk shihen dhe nuk janë aty. Unë jam i rrëzuar, djali jem i ka sjellë. Samedi është ma larg shumë, edhe Fisniku është ma larg. Po çka ndodhi që erdhën dënimet kështu, a kanë njoftësi a ndikim nuk e di ju mundeni me e ditë”.
Ismet Ismajli, për rastin që kishte ndodhur në vitin 2019, gjithashtu kishte vuajtur dënim prej tri vitesh burgim, bashkë me vëllanë e tij, Izriun.
Gjithë këtë problem, sipas tij e nisën familja e të ndjerit.
Ismajli ka thënë tutje se “I kanë nxjerrë prej kombit njëri shatin, tjetri kacinë, edhe ja kanë nis me kërcënu. Përleshje ka pasur aty, të madhe. Djalin tem dikush e ka goditë në kokë. Kush e ka goditë nuk e di. Kur e ka pa djali që unë jam i rrëzuar, sepse mua më ka goditë Besiana, Besiana Ismaili. Shenjën e kam hala në këmbë. Më ka rrëzu. Kur e ka pa djali që përmbi mua është Besiana dhe të tjerët, u afru djali dhe ka hupë prej vetëdijës, sepse më herët i ka qepur 12 pejë, edhe e ka goditë”.
Këtë pretendim se situata u përkeqësua me ardhjen e dy familjarëve të tashmë viktimës, e ka vërtetuar edhe Apeli.
Aktgjykimi i Apelit ka thënë se “Nuk është kontestues fakti se kur arrin në vendin e ngjarjes Edmond dhe Armend Ismajli, acarohet situata në mes të akuzuarve dhe të dëmtuarve dhe fillon përleshja në mes tyre dhe ky fakt vërtetohet edhe nga provat materiale (incizimi i marrë nga kamerat në shtëpinë e Arif Islamit)”.
Gjykata e Apelit gjithashtu ka vërtetuar se prona ka qenë në pronësi të Ismet Ismajlit.
Ai e kishte blerë atë nga një serb, përderisa parcela ndodhet në afërsi të shtëpisë së viktimës.
E Ismajli thotë se kjo ngjarje do të ishte parandaluar, në rast se organet e rendit do t’i merrnin më seriozisht paralajmërimet e tij.
Ismajli ka thënë se “11 herë i kam thirrë në stacion policor brenda 13 muajve, që mos me ndodhë diçka e keqe, edhe ka ardhë puna deri qitu. Se me pas institucione, me punu hakikat drejtësi, nuk kishte ndodhë kjo, jo nuk kishte ndodhë kjo”.
Televizioni ka tentuar që të marrë edhe një verzion të familjes së viktimës për rastin, mirëpo ata nuk kanë dashur të flasin.
Rasti, megjithatë nga avokatët e tani të dënuarve, është dërguar në Gjykatën Supreme.