Njohësit e ekonomisë, nuk shohin shumë ndryshim të buxheti për vitin 2023 me buxhetet e të qeverive të kaluara.
Ekonomisti, Naim Huruglica, në emisionin “Five” të Rtv Dukagjinit, ka thënë se qeveria aktuale dhe ato të kaluarat nuk po arrijnë të bëjnë ndryshime strukturore në ndarjen e buxhetit të shtetit.
Edhe buxheti aktual, sipas Huruglicës, varet në masë të madhe nga barra tatimore, që sipas tij nuk është mënyrë e mirë e funksionimit të buxhetit.
“Nuk shoh ndonjë ndryshim substancial nga vitet e kaluara, asnjë qeveri nuk po arrin të bëjë ndonjë ndryshim strukturor se si ndahet buxheti për shkak edhe të trashëgimisë që është krijuar vit pas viti, sepse është mbush një administratë publike, janë skemat sociale dhe kostoja për me udhëheq qeverinë në kuptimin e kostove sa paguan për paga e mëditje, e për skema sociale, lë pak vend për ndryshim”, ka thënë Huruglica.
“Ajo që po më vjen në sy për këtë buxhet, që barra kryesore e të hyrave vazhdon të jetë tek barra tatimore, qeveritë nuk po arrijnë të gjejnë rrugë se si të vijnë tek burimet e tjera alternative, që në kushte normale nuk do të duhej të jetë vetëm tatimi burim kryesor i financimit të buxhetit”, ka vijuar ai.
Rritja e buxhetit, me bazë kryesore TVSh-në, sipas Huruglicës kanë efekte negative tek bizneset.
“Kjo do të ketë efekt tek bizneset, sa më i lartë të jetë buxheti që qeveria parasheh si buxhet shpenzues, nëse vjen nga tatimi, do të reflektohet tek bizneset që të paguajnë më shumë për këtë buxhet”, ka thënë ai.
Ngjashëm me Huruglicën, mendon edhe ekonomisti Erton Bega, i cili tha se rritja e buxhetit vjen si pasojë e rritjes së inflacionit dhe jo të rritjes së performancës së institucioneve të Kosovës.
Rritja sipas tij, është pasojë e funksionimit të tregjeve globale dhe jo meritë ekskluzive e Qeverisë së Kosovës.
“Kjo nuk do të thotë që qeveria do të realizojë më shumë projekte, sepse edhe çmimet janë rritur shumë, qëndrojmë në rritjen reale buxhetore siç kanë qenë dhjetë vitet e kaluara. Është rritë për arsye të inflacionit, çdo ekonomist nuk mund të gjejë tezë tjetër për këtë rritje, nuk bëhet fjalë për përmirësim të performancë së ATK-së”, ka thënë Bega.
“Kjo nuk është meritë e qeverisë, por është rrjedhojë e tregjeve globale, kemi pas ngritje të lartë të çmimeve, që nuk është njohur në dy-tri dekadat e kaluara. Është reflektuar në rritjen e buxhetit”, ka vijuar Bega.
Ekonomisti Bega, ka theksuar se përkundër rritjes së buxhetit, nuk mund të ketë më shumë realizime të punëve publike sipas tij për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë miratuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2023.
Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 65 deputetë, nga ta 64 kanë votuar pro projektligjit, një ka qenë kundër dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.