Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës ka qenë dëshirë e Bashkimit Evropian dhe jo e Serbisë.
Kështu ka thënë ai të mërkurën e 15 qershorit, pas publikimit të raportit të Parlamentit Evropian, ku për herë të parë është thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Ky vlerësim është prezantuar gjatë votimit për amendamentin në raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET).
“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë, të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën”, ka thënë Vuçiq para mediave, shkruan REL.
Sipas tij, “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.
Po ashtu, siç ka potencuar presidenti serb, çështja e dialogut midis dy vendeve fqinje duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” dhe jo njohjes.
Ndryshe, për këtë raport votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.
Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.
Sipas dokumentit, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.
PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke