Për aftësitë e Migjenit si shkrimtar autori i këtyre rreshtave patë mësuar nga romani “Gryka e kohës”, i cili me një automatizëm të vetëtimtë e patë lidhur me një skenë e ngjarje nga viti 1998, kur gazetarja me famë turke, me prejardhje shqiptare, Ozcan Ercan (Ëzgjan Ergjan), nga gazeta me tirazhin më të madh asokohe, “Hurriyet”, i cili dukshëm e kalonte njëmilionëshin, në një konferencë për shtyp pjesëmarrësit i kishte bërë për të qarë në momentin kur ajo kishte shpjeguar gjendjen e rëndë në prag të Luftës në Kosovë, dhe krimet e padëgjuara të kriminelëve mendje sëmurë mbi popullatën civile në mbarë Ballkanin, e veçanërisht Kosovë, me ç’rast aq ndjeshëm e kishte shpjeguar edhe “çështjen e ‘çallmës’ ndër shqiptarët, duke thënë se ajo nuk është kurrfarë çallme apo ndonjë shenjë, simbol, tjetër që do të lidhej për ndonjë fe, religjion, por “është, thjesht, një shall i bardhë dhe domosdo i pastër, ‘qefini’ me të cilin shqiptari, rugovasi, e pret vdekjen gjithnjë i gatshëm, e cila gjithnjë i ishte aq e afërt sa edhe ‘qefini’, ‘kefini’, të cilin e mbanë gjithnjë hiç më larg se mbi kokë”. Të shumtit nga pjesëmarrësit, ndër të cilët ndodheshin edhe shumë e shumë figura të tjera të njohura e me renome nga politika, arti e kultura, nga konferenca dolën vërejtshëm me sy të lagur. Në Grykën… Migjeni për mrekulli e trajton pikërisht atë shall, atë simbol rugovas, shqiptar, kurse në “Darkën ndër bomba”, autori i rreket një realiteti tjetër, me të njëjtin sukses.
Romani i dytë, me shpresa të mëdha se nuk do të jetë edhe i fundit, lexohet në një frymë. Jo pse kështu dëshiron vetë lexuesi, por sepse kështu e dikton autori me dinamikën e shtjellimit dhe rrjedhshmërinë e fjalëve dhe të mendimeve të shprehura në gegërishten e vendit.
Kur njeriu futet në lexim, vetë stili i rrëfimit përmes dialogjeve në zhargonin e rinisë, baza themelore e të cilit megjithatë ishte mënyra e të menduarit dhe të shprehurit që përfshinte – por me sukses edhe fshihte – një filozofi të mrekullueshme të popullit të detyruar të mbijetonte, disi, nën një trysni të paparë, përcjellë nga rreziku evident, real, për zhdukje. Një narracion i përmbushur edhe me metafora të cilat nuk vërehen në çastin kur thuhen, por ndjehen vetëm më vonë, kur (ndodhë që) therimi tashmë qëmoti të kishte kaluar. Narracion i përcjellë me atë pakujdesinë e qëllimshme – të cilën të rinjtë e asaj kohe e quanin “nonshalancë”, e domethënien e së cilës e dinin të gjithë, sepse në jetën e tyre të përditshme ashtu edhe silleshin ndonëse rrethanat ishin aq shumë kërcënuese, – që detyrimisht t’i përkujtonte shkrimtarët më të famshëm latinoamerikan të shekullit njëzetë, bashkë me pakujdesinë e këndshme në të shprehur nga Henry Miller dhe të Milan Kundera; madje edhe Xhems Xhojsi në Uliksin i tij, sepse edhe në kapitullin e parë të Darkës, lexuesi i vëmendshëm mund të vërejë një udhëtim të pandërprerë, eksplorim, brendapërbrenda mendjes së protagonistit, dhe në krejt këtë drejtim mjeshtëria e autorit qëndron në faktin se pavërejtur lexuesit ia ofron mundësinë të konstatojë se ai eksplorim mund të realizohet edhe brenda përbrenda vetë qenies së tij. Një vetë eksplorim, pra. Një uliksiadë/odiseiadë të tillë mund ta arrij secili individ nga rruzulli tokësor, vetëm po qe se ka dëshirë dhe guxim të futet përbrenda vetes. Faqet e para të Darkës… të udhëzojnë pikërisht drejt këtij mendimi, sepse autori përmes Albanit realizon një hulumtim të thellë, duke e arritur kështu edhe ndarjen e Unit dhe të Jo-unit (Fihte, hershëm i ndikuar nga filozofia e Lindjes).
Vërtetë është vështirë të shkruash në mënyrë humoriste, përcjellë me një sarkazëm që në çaste nuk dallon nga ironia e rëndë, për gjëra aq të ndjeshme, siç është shpirti i njeriut dhe honet e mendjes, siç vërehet përgjatë leximit të kapitullit të parë, kurse akoma më vështirë është në mënyrë të tillë të shkruash dhe t’i qasësh golgotës dhe tragjedisë së madhe të një populli dhe të qesësh në pah një filozofi të jetës – dhe të mbarë tragjikes brenda saj – mrekullueshëm të fshehur prapa fjalëve e mendimeve (vetëm në shikim të parë) të thjeshta të popullit dhe të zhargonit rinor të një kohe që mbizotëronte brenda shoqërisë.
Duke vazhduar së lexuari, lexuesi mund të vërejë atë që është ndoshta më e rëndësishmja: se veprën e përcjellë një lidhshmëri e fortë mendimesh të mendjes së koncentruar, të përmbledhur, që edhe me tregime nga jeta e njeriut të rëndomtë, figura e të cilit mund të përfundojë edhe nën personalitetin e Albanit, të Albanëve, të Hanës dhe Hanave, pra, të paraqitet dhe bukur të shpjegohet njëra nga format esenciale të jetës, të vibrimeve nga makro e mikro kozmosi ku gjërat, plotësisht ngjashëm në veprime, afrohen me rrëmbim deri në bashkim me përplasje shkatërruese, për t’u larguar atëherë kur tashmë nuk pritet, pa u prekur fare ndërmjet veti, dhe pastaj sërish e sërish duke u afruar e larguar në drejtimet që dikush, një Fuqi madhore, i ka përcaktuar që nga më parë. Kështu me radhë, pa u humbë asgjë nga esenca, duke bërë që një ngjarje madje krejtësisht e vogël, ndoshta e mjerë dhe e imtë në shikim të parë, të merr përmasa pafundësie, ferri e parajse, divinore.
E tërë kjo bënë që lexuesi i kujdesshëm të transcendetojë edhe për gjëra që aq mrekullueshëm na afron lartëmadhsia e saj – Jeta – me fshehtësitë e saja.
Duke e lexuar këtë roman fitohet përshtypja reale se njeriu, lexuesi, është duke shikuar një dokumentar, por artistik, me ngjyrat më të bukura, të mbështjellura fillim e mbarim me një sarkazëm që vazhdimisht argëton, por edhe din të therojë, njëkohësisht.
Kjo që autori trajton periudhën kohore të ngjarjeve më tragjike që ndodhën në nënqiellin e Kosovës dhe të Ballkanit të shenjtë e të nëmur, gjithashtu, duket të jetë plotësisht e kuptueshme dhe e natyrshme, sepse askush nuk mund t’i shmanget hapësirës e kohës nën të cilën ka jetuar për të mbijetuar. Jemi produkte të kohës pra, e cila, megjithatë, në njëfarë forme është pjesë Jo-uni për të cilën rreket autori në fillim…
Është befasues edhe përdorimi i nocionit ‘ketman’. Kjo dëshmon për njohuri të një spektri të gjerë të autorit dhe të guximit të tij, sepse i rreket një çështjeje e cila dëmton dhe mund të jetë edhe vrimë e zezë për vetë islamin. Këtu bëhet fjalë disi rreth jokonsekuentshmërisë në islam, e cila për shumë kënd rrjedhë si pasojë e drejtpërdrejt e ajeteve 225 e 226, nga sureja El Bekare e Kur’anit, nga përmbajtjet e të cilëve edhe nxirret mundësia të mohojmë të vërtetën e pohojmë të pavërtetën në raste të caktuara vështirësie, gjë që lejon të sillemi sipas parimit të “linjës së rezistencës më të ultë”, ani se gënjejmë e mashtrojmë, disi, si “me leje”, sepse Allahu na vlerësuaka jo sipas asaj se çfarë flet goja , por nga ajo se çfarë mbajmë të ndryrë në zemër. (Sic!!!).
Nëse popullit ia lejon që problemet dhe mëdyshjet ti zgjidhë mbi bazë të vlerësimit individual, ai problem zgjidhet ashtu siç e zgjidh pothuajse e mbarë bota islamike nga të gjitha shtetet, ku gënjeshtra e mashtrimi janë vetëm një dukuri pothuajse e rëndomtë. Fatkeqësisht, edhe ndër ne, shqiptarët, që e kemi krijuar fjalën më të bukur të mundshme nga sfera e moralit dhe madje edhe e estetikës, që është Besa, duke e mitizuar atë, ndoshta vetëm e vetëm për mos ta mbajtur atë më të thjeshtën, fjalën e dhënë pra. Kur kjo lidhet edhe me kritikat e heshtura por therëse – të cilat ta kujtojnë atë thënien e njohur latine: In cauda venenum (dhe në bisht pakë helm) – ndaj Liderit rreth qëndrimit të tij ndaj Luftës, që atëbotë nga të gjitha anët pezullonte në ajër, autori zbulon edhe njërin ndër shkaqet kryesore të dështimit të Lëvizjes gandiste, e cila në Kosovë kishte fituar emër të madh, por kurrë nuk kishte arritur ta zbulojë edhe formën.
Në fund, vetë fuqia e romanit lexuesin mund ta kthejë sërish në fillimin e tij, te ajo shprehja “…Sepse Lejlaja njihere u ngri….mbeti ashtu shtangun për nji kohë, dhe mandej u ligshtue dhe u desht me e thirrë ndihmën e shpejtë…”, duke menduar se ajo domosdo detyron që aty diku nga fundi të zbulohet se cila ishte ajo fjalë, fjali, sekret, mendim, që në mënyrë aq dramatike e kishte ngrirë Lejlan, emrin dhe ngjarjen rreth së cilës autori aq bukur e kishte lidhur me “Laylan” (kushtimisht thënë, për t’mos u zgjeruar rreth Pattie Boyd) e Harrisonit dhe të Claptonit e ngjarjen rreth këtij trekëndëshi individësh të njohur në nivelet më të larta hapësinore e kohore të botës së muzikës. Mirëpo, ndoshta kjo ishte zgjidhja më e mirë, sepse mbetet një përshtypje e thellë se diçka e mistershme, që pa masë të intrigon, vazhdon së pezulluari akoma, madje edhe për një kohë relativisht të gjatë, prapa fjalës së fundit në roman?
—-
𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖 𝑎𝑠ℎ𝑡 𝑠ℎ𝑘𝑟𝑖𝑚𝑡𝑎𝑟 𝑑ℎ𝑒 𝑖𝑠ℎ 𝑑𝑖𝑝𝑙𝑜𝑚𝑎𝑡, 𝑝𝑒̈𝑟𝑓𝑎𝑞𝑒̈𝑠𝑢𝑒𝑠 𝑛𝑒̈ 𝑀𝑖𝑠𝑖𝑜𝑛𝑖𝑛 𝑒 𝐾𝑜𝑠𝑜𝑣𝑒̈𝑠 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑢𝑟𝑞𝑖.