Rrallë herë në fjalimet propagandistike Aleksander Vuçiq ka pranuar që Kosova nuk ka qenë e tyre.
Presidenti i Serbisë tash, dikur ministër i Slobodan Milosheviqit, flet për rreth një shekull më parë, kohë kur Serbia kishte konsulatë në Prishtinë.
Konsulata që tashmë ndodhet në hyrje të tregut të gjelbër, ngjanë në një ndërtesë parahistorike. Sipas historianëve nga viti 1889-1912, në këtë ndërtesë kanë shërbyer 8 diplomat të dërguar nga Serbia.
Lluka Marikoviq mbetet më i njohuri, ndoshta për shkak të fundit fatkeq.
“Konsuli i parë është sjellë vrazhdë me popullatën, ka pasur raste kur nga ballkoni që dikur qëndronte në këtë ndërtesë edhe i ka ofendu qytetarët. Masë e madhe e popullatës që numerikisht një numër i tyre ka qenë i depërtuar dhe ka qenë i irrituar dhe kjo ka rezultu me organizimin e vrasjes së këtij konsuli”, ka thënë Emin Sallahu, historian.
Nuk dihet nëse në këtë foto është Marinkoviqi në ballkon por me siguri që kjo është konsulata e Serbisë në Prishtinë.
Vrasja e Marinkoviqit nuk e mbylli këtë konsulatë, aty shërbyen edhe 7 diplomatë të tjerë. Më 1912 konsulata u mbyllë, pasi u ndërruan pushtuesit, shkoi Perandoria Osmane që përmes masakrave në Kosovë zbarkoi Serbia. Që nga ajo kohë sipas punonjësit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve objekti që daton nga shekulli XlX ka mbetur në mëshirën e kohës.
“Për fat të keq ky objekt sikurse edhe disa objekte afër tij janë dëmtuar janë djegur edhe kanë humbur shumë nga vlera fillestare. Restaurimi apo konservizimi do të kishte me paraqit njërin nga objektet të cilat i kanë taku një administrate të një shteti tjetër në territorin tonë, (Serbia) e cila në vazhdimësi ka pretendu që (Kosova) është territor i saj. Pra do ta argumentonte që objekti ka shërby një kohë si konsulatë e shteti që sot pretendon që Kosova i takon territorit të tyre”, ka shtuar historian Emin Sallahu.
100 vjet pasi e mbylli këtë konsulatë, Serbia përsëri ka një zyrë në Kosovë. Veçse kjo e fundit tash është shtet i pavarur dhe me institucione të veta. Më 2013 Serbia hapi zyrën ndërlidhëse në këtë ndërtesë. Sikurse aktiviteti për serbët në Kosovë, në zyrë mungojnë edhe njoftimet për prezencën e saj.
Hera e fundit që u përmend kjo zyrë ishte koha kur Serbia tentoi që zgjedhjet presidenciale t’i organizojë edhe brenda Kosovës. Ato nuk u lejuan por u mundësua që të votohet në këtë zyrë, mirëpo kjo e drejtë nuk u shfrytëzua nga asnjë serb që jeton në Kosovë.