Tre persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës të enjten e dy qershorit, të cilët kishin tentuar të hynin në Kishën Ortodokse në Oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës.
Këtë për Portali D e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka theksuar se të ndaluarit nuk e kishin paralajmëruar mbajtjen e liturgjisë në këtë objekt.
“Rreth orës 04:30, njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj”, ka thënë ai.
Sipas Borovcit, të njëjtit janë liruar pas kryerjes së veprimeve të nevojshme verifikuese nga ana e policisë.
Siç theksoi Borovci, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës nuk kanë ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar.
“Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës, nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar”, shtoi ai.
“Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij”, shtoi Borovci.
Ndërkaq, më 10 qershor të vitit 2021, ishte mbajtur liturgjia, e cila ishte konsideruar provokim nga Serbia.
Një gjë e tillë ishte konsideruar se po përdorej për qëllime politike pak ditë para rinisjes së dialogut në Bruksel.
Teksa në Serbi është konsideruar arritje mbajtja e liturgjisë për herë të parë që nga viti 1998, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se aktiviteti përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kishte thënë se për aktivitetin e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit, Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht.
Duke shtuar se prona ku është e ngritur struktura e papërfunduar e kësaj kishe është në procedurë kontestimore, ku paditës është Universiteti i Prishtinës. Çeku kishte thënë se asnjë palë që është pjesë e procedurës gjyqësore “nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat”.
Ai, po ashtu, ka paralajmëruar se institucionet s’do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike apo të nxisin konflikte duke rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve.
“Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë. Veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, që ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe që nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, kishte shkruar ai të enjten në mbrëmje në Facebook.
Kisha në kampusin e Universitetit të Prishtinës kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë nuk arriti të përfundohej.
Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundmi më 2016, por s’qe lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacion për objektin.