Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, kanë paralajmëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se në një moment të dytë mund sanksionohet, nëse nuk sigurohet prania e dëshmitarit të radhës menjëherë pasi përfundon dëshminë një dëshmitar.
“Ky është një paralajmërim i parë i ZPS-së, një shkelje e dytë do të konsiderohet, do të shqyrtohet pastaj për marrje sanksionesh”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, gjatë seancës së sotme ka përfunduar dëshminë dëshmitari i nëntë (me kodin 01602) dhe gjykatësi Smith ka thënë se “nuk paskemi dëshmitar tjetër për sot, kështu që pas pak dua të flasim për këtë”.
Sipas gjykatësit Smith, urdhri për zhvillimin e procesit thotë që është përgjegjësi e palëve që të sigurojnë që në përfundim të dëshmisë së një dëshmitari, të ketë dëshmitar gati në rend për të filluar dëshminë.
Tutje, ai tha se nëse një prej dëshmitarëve të propozuar nuk është në gjendje që të dëshmojë sipas kalendarit apo nëse nuk ka kundrapyetje për dëshmitarin apo nëse kundrapyetjet zgjasin më pak nga që pritej, pala thirrëse duhet që të sigurojë që të ketë një dëshmitar alternativ të gatshëm për ta thirrur, në mënyrë që të mos ketë vonesë në procedurë.
Po ashtu, ai tha se vetëm dëshmitarët e njoftuar sipas procedurës përkatëse mund të thirren të jenë në gatishmëri, në përjashtim të rasteve kur është marrë miratimi i gjykatësve, duke shtuar se dihet se nuk ka një përjashtim nga ky urdhër.
“Në këtë moment të gjykimit, vetëm një organizatë është përgjegjëse për të thirrur dëshmitarët dhe për t’u kujdesur për pjesëmarrjen e tyre dhe kjo është ZPS-ja”, tha tutje gjykatësi Smith.
Ai tha se të gjithë këta njerëz dhe katër të akuzuarit të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, janë në pritje të dëshmitarit të radhës në mënyrë që kohën ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme.
Më tej, ai tha se ky trup gjykues e ka marrë shumë seriozisht përgjegjësinë e vet për të mbrojtur të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të shpejtë dhe të drejtë.
“ZPS ka bërë shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrit të trupit gjykues sa i takon zhvillimit të procedurës”, tha gjykatësi Smith.
Andaj, sipas tij, në një moment tjetër të një shkeljeje të tillë, do të shqyrtohet për marrje sanksionesh.
Andaj, seanca e radhës për këtë çështje gjyqësore do të vijojë më 19 qershor 2023, në orën 09:00 dhe transmetimi i saj për publikun si gjithnjë do të nisë me 45 minuta vonesë.
Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të nëntë në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve