Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë tek Termocentrali Kosova A, stacioni 02.
Punëtorët brenda kanë thënë për TV Dukagjinin që bëhet fjalë për një shpërthim kazani.
E nga ky rast, s’ka të lënduar.
Kryetari i Shoqatës Sindikale në Kosova A nuk ka dashur të deklarohet me pretekstin se janë duke rregulluar problemin e mbrëmshëm.
Ndërsa lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Koorporata Energjetime e Kosovës (KEK), nga të cilët është thënë që nuk ka vend për shqetësim.
KEK, ka njoftuar se blloku A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
Ndërsa zjarri që u raportua, nga KEK-u, thonë se ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
“Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”.
Eksplodon kazani në Termocentralin Kosova A
Deputeti i PDK-së Ferat Shala, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se ka shpërthyer një kazan në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.
“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar ai në Facebook.