Nuk pranohet në UP përkundër përpjekjes maksimale, Albulena Miftari “detyrohet” të studiojë në Tetovë

Albulena Miftari i përket rangut të nxënësve me sukses të lartë, por në studime ajo hasi shumë vështirësi. Përkundër përpjekjeve të saj maksimale, ajo nuk arriti të jetë studente e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" dhe "u detyrua" që studimet t'i vazhdojë jashtë vendit, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut

Albulena Miftari

Albulena Miftari është një vajzë nga Mitrovica, e cila përkundër përpjekjes maksimale për të qenë studente e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk arriti dhe “u detyrua” t’i fillonte studimet në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.

Nuk u pranua në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, “detyrohet” të studiojë në Maqedoni të Veriut 

Për Portalin Dukagjini ajo tregon se studion në Fakultetin e Mjekësisë, në degën Mjekësi e Përgjithshme, në Universitetin Shtetëror të Tetovës “Fadil Sylejmani”, sepse përkundër përpjekjes së saj maksimale për t’u pranuar në Universitetin e Prishtinës, nuk ka arritur dhe është “detyruar” të studiojë jashtë vendit.

“Unë jam studente e Fakultetit të Mjekësisë, në degën Mjekësi e Përgjithshme, në Universitetin Shtetëror të Tetovës “Fadil Sylejmani”. Jam në vitin e parë të studimeve dhe planifikoj që karrierën time ta zhvilloj në Kosovë. Planet e mia kanë qenë që edhe studimet t’i përfundoj në Prishtinë, sepse jam kategorikisht kundër daljes sime jashtë shtetit, sepse mendoj që duhet të qëndroj dhe të kontribuoj për vendin tim, por për shkak të mospranimit tim në Universitetin e Prishtinës edhe përkundër përpjekjes maksimale, jam detyruar që ta lëshoj vendin tim, pa dëshirën time”, ka deklaruar ajo, duke shtuar më tej se do të punojë fort që të kthehet dhe të kontribuojë në Kosovë.

Miftari rrëfen se largimin nga vendi e kishte përjetuar rëndë dhe se ishte e vështirë për të ta merrte epitetin “shtetase e huaj”.

“Ka qenë shumë e vështirë për mua të marr eptitetin “shtetas i huaj”, sepse përnjëmend këtu jam e huaj. Mendoj se vlera e vërtetë e njeriut mund të kuptohet vetëm kur ai është në vendin e tij. Kur jemi te benefitet, vetë fakti se kam filluar me studimin e mjekësisë, është nderi dhe krenaria ime më e madhe, sepse me arritjen e pikësynimit tim, do të mundem ta realizoj dëshirën time të kahmotshme, të shërbej në Kosovë, me gjithë dijen dhe kapacitetin që kam”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se përballet me sfida dhe vështirësi, por është e bindur se me vullnet të plotë arrihet gjithçka.

Talentin për artin e të shkruarit Albulena Miftari e kishte shfaqur qysh në shkollën fillore, për të vazhduar me sukseset e tjera të njëpasnjëshme.

“Unë, që nga bankat e shkollës fillore, kam filluar të shkruaj poezi dhe prozë. Fillimisht, prirje kam pasur më shumë në rimë. Për mua, është vlerë e madhe qëndisja e vargjeve, sepse përmes tyre arrin të përjetësosh një ndjenjë a një ndodhi”, ka thënë Miftari në një intervistë për Portalin Dukagjini.

“Mitrovicë, zonja qëndresë”, libri që i dedikohet këtij qyteti

Ajo ka një dashuri të madhe edhe për vendin, saqë i kushtoi dhe librin “Mitrovicë, zonja qëndresë”, i cili i dedikohet, pikërisht, këtij qyteti dhe sipas saj, ndarjes së padrejtë të tij. Ajo thotë se Mitrovica për të është pika më e dobët dhe më e fortë njëkohësisht.

“E kam thënë edhe në intervista të tjera se për mua, Mitrovica është pika më e dobët dhe më e fortë njëkohësisht. Ajo mundet pa mua, por unë nuk mundem dot pa të. Në libër e kam trajtuar thellësisht ndarjen e qytetit dhe problematikat që kanë rrjedhur si pasojë e saj. Ndarja e Mitrovicës mbetet ndër plagët e mia jetësore; e kam analizuar shumë si çështje dhe kam vënë re padrejtësitë që u janë bërë mitrovicasve tash e sa kohë, prandaj kam menduar se përmes shkrimit do të arrij të përjetësoj historinë e vërtetë të ndarjes së Mitrovicës, e jo të bëhem urë e shtrembërimit që tentojnë ta krijojnë serbët. E ndiej veten të dobët sa herë që flas për Mitrovicën, sepse është borxh imi dhe i të tjerëve që të punojmë për këtë vend, e për hir të gjakut të dëshmorëve ta bashkojmë prapë qytetin tonë me të gjitha forcat që kemi”, ka thënë Albulena Miftari.

Miftari shprehet se vizioni i saj është në Mitrovicë dhe për të njëjtin qytet dhe se në librin “Mitrovicë, zonja qëndresë”, ka thurur vargje dhe për minatorët e Mitrovicës apo siç i quan ajo “luanët e nëntokës”.

“Unë mendoj që librin “Mitrovicë, zonja qëndresë” duhet ta duan të gjithë shqiptarët, për vetë faktin se e urrejnë të gjithë serbët. Ata dëshirojnë që shqiptarët ta harrojnë historinë e tyre të lavdishme, prandaj ky libër si edhe shumë të tjerë është ‘halë në sytë e serbëve’”, shton ajo.

Libri “Mitrovicë, zonja qëndresë” i autores Albulena Miftari

Albulena Miftari, përveç librit “Mitrovicë, zonja qëndresë”, ka shkruar dhe tjetrin që e ka titulluar “Jeta e mërgimtarit” dhe tregon se pas daljes nga shtypi të këtyre dy librave, ka marrë urime nga më të ndryshmet e ka pasur shumë kërkesa që libri të jetë në duart e lexuesve.

Miftari tregon se motivin dhe frymëzimin për të shkruar e merr nga Samiu e Naimi dhe se e njëjta mendon që rrugën e tyre duhet ta ndjekin edhe gjeneratat e ardhshme.

“Dikur kishte pak shkrimtarë e shumë lexues, ndërsa sot fatkeqësisht ndodh e kundërta. Sot, teknologjia ka shkelur mbi çdo gjë, ka përdhosur edhe vlerat, edhe sakrificat. Arti letrar në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në troje shqiptare të jep shpresë, nëse nuk lihet në harresë. Fatkeqësisht, sot dominon antivlera. Më vjen keq që e them këtë, por, shkrimtari i vërtetë është ai që di ta marrë zemrën e lexuesit me një laps e një copë letër, ndërsa sot sheh ‘shkrimtarë’ me dhjetëra libra të botuar, por që nuk shfaqin ndonjë vlerë të veçantë në to”, thekson tutje Albulena Miftari, për perspektiven e saj rreth artit letrar gjatë ditëve të sotme, duke potencuar se artit letrar në Kosovë i mungon përkrahja institucionale.

“Për fund, do të doja që të jap një mesazh për të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë: – Të jetosh nuk është gabim, por mos jeto pa një qëllim. E kur jeta të bëhet e vështirë, mos guxo të shitesh. – ‘Një sekond’ ndonjëherë përkthehet ‘një jetë’. Kujdesuni për jetën tuaj, e mbi të gjitha ruajeni nderin e familjes suaj e duajeni me gjithë shpirt atdheun. – Bëni pak vite sakrificë, që të fitoni dekada liri. Bëni që emri juaj të përjetësohet”, përfundon Albulena Miftari.

 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika