Kushtetuesja e cilëson të papranueshme kërkesën e Veton Berishës dhe Albert Kinollit, i cili lidhej edhe me një rrëzim të mundshëm të presidentes Vjosa Osmani.
Arsye për këtë sipas Gjykatës, është “mosshterrimi i mjeteve juridike të përcaktuara me ligj”.
Sipas vendimit Gjykata Supreme, nuk e ka cenuar të drejtën e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, për t’u zgjedhur deputet.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues”
Në aktvendim, thuhet se Albert Kinolli, nuk i ka shteruar mjetet juridike, ndërsa sa i përket parashtruesit tjetër të kërkesës, përkatësisht PLE, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Veton Berisha, “Aktgjykimi sqaron që i njëjti konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme vetëm sa i përket refuzimit për anulimin/shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të saktësuara në komunat e Kamenicës, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut”.
“Megjithatë, Vendimin plotësues të PZAP-së të 10 marsit 2021, që kishte vendosur përkitazi me Mitrovicën e Veriut, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte apeluar në Gjykatën Supreme, duke dështuar për pasojë t’i shterojë mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, vlerësimit meritor të Gjykatës i nënshtrohet Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme vetëm përkitazi me refuzimin e anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e saktësuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht”, thuhet në aktvendim.
Veton Berisha dhe Albert Kinolli, kishin pretenduar se kundër-kandidatët e tyre kishin marrë më shumë vota se sa që kishte banorë të komuniteteve.
Ata e kishin akuzuar Listën Serbe se qëllimisht i kanë orkestruar votimin për kundërkandidatët e tyre, për ta rritur grupin parlamentar.
Këtu mund ta lexoni njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.