Dikur u përdorën për të dalë nga okupimi në liri, e tash një pjesë prej tyre janë vetëm armë ilegale në duart e qytetarëve.
Shumica e armëve pa leje në duar tyre po mendohet që iu mbetën që nga lufta e fundit në Kosovë.
Tash, e 25 vite, Policia e Kosovës realizon vazhdimisht kontrolle dhe aksione për konfiskimin e tyre.
E vetëm deri me 15 tetor të 2024, policia “ka iniciuar 1333 raste nga neni 366 ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.
E dallimi me dy vitet paraprake nuk është i madh.
Komplet në 2023-n u sekuestruan 1,392 armë zjarri, kurse në 2022-n ishte edhe me i lartë 1.473 sosh.
Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme Selam Shkodra, lavdëron institucionet për punën, por ka nevojë për një sqarim nga policia e Kosovës.
“Duhet pa nëse është rritur numri i atyre që po mbajnë armë ilegale, apo është rritë numri i aktiviteteve të policisë dhe nëse është rritur numri i aktiviteteve të Policisë është për të u përgëzuar policia, por nëse është rritë numri i atyre që mbajnë armë ilegale, atëherë lë të nënkuptohet që trendi i armëmbajtjeve pa leje është në rritje”, ka thënë Shkodra.
Shkodra nuk e hedh poshtë mundësinë, që në Kosovë ende të vazhdoj kontrabanda me armë.
Ngjashëm mendon edhe njohësi i fushës së sigurisë Valdet Hoxha.
“Numri i tyre është ndryshu, për shkak të shtimit të tyre brishtësisë së kufirit sidomos me 400 km e vijës së gjelbërt me Serbinë ku nuk është përjashtuar asnjëherë dhe disa herë është zënë kontrabandë me armë, andaj janë dy faktor mbetja e armëve nga lufta dhe shtimi i tyre në aspektin biznisor dhe kriminal”, ka thënë Hoxha.
Hoxha thotë se grupet kriminale që bëjnë transportin e tyre kanë fitime të mëdha, por nuk duhet harruar se këto armë mund të futën edhe nga grupe të mirë organizuara që për qëllim kanë destabilizimin e vendit.
Sipas organizatave jo qeveritare në vendin tonë besohet të jenë mbi 200,000 armë pa leje.