“Nuk kemi gjetur një gjuhë të përbashkët, jemi munduar për tre vjet radhazi, por pa rezultat”, kështu ka deklaruar F.G, grua e saposhkurorëzuar në muajin maj të këtij viti në Komunën e Prizrenit.
Kjo komunë në raportin e publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), qëndron në vendin e parë sa i përket numrit të divorceve, me gjithsej, 189 raste.
Në vitin 2021 janë regjistruar dy mijë e 160 shkurorëzime.
Sipas statistikave të ASK-së, numri më i madh i shkurorëzimeve ka ndodhur në: Prizren-189 raste ose 8.8 për qind, në Prishtinë- 175 raste ose 8.1 për qind, Podujevë-141 raste ose 6.5 për qind.
Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti i dytë me 10 për qind, viti i tretë me 9 përqind dhe viti i katërt me 7.4 për qind të shkurorëzuarve.
“Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë te femrat e moshës 25-29 vjeçare me 461 shkurorëzime, kurse te meshkujt dominojnë te moshat 30-34 vjeç, me 489 shkurorëzime” thuhet më tutje në njoftim.
Ndërkaq, Edin Shehu, drejtor i administratës në Komunën e Prizrenit, për portalin Dukagjini ka thënë se, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2022, në Prizren janë shënuar rreth 90 shkurorëzime.
Duke krahasuar me vitet e kaluara, Shehu ka thënë se ka pasur një rritje.
Sipas tij, ky vit ka shënuar rritje të divorceve jo vetëm në komunën e Prizrenit, por edhe në gjithë vendin.
Sipas statistikave të ASK-së, në vitin 2020 janë regjistruar një mijë e 614 raste të çifteve të shkurorëzuara, ndërsa në vitin 2022, shifrat kanë rezultuar të jenë me një mijë raste më shumë.
Ndërsa sociologu, Jeton Brajshori për portalin Dukagjini ka thënë se shkaqet që dërgojnë deri te divorci janë të shumta, si martesa e hershme, xhelozia mes çiftit, problemet ekonomike si dhe problemet me shëndetin mendor.
Për Brajshorin, të rinjtë të cilët martohen në moshat e reja pra nën 20 vjet, janë më të prirur që të divorcohen për arsye se entuziazmi në rini, shpesh edhe nuk përkon me sfidat të cilat çifti do të ballafaqohet në të ardhmen, e sidomos te shtatzania e hershme, e cila përcjellet me kujdes të shtuar dhe kërkon të hyra materiale më shumë.
“Çifti i ri shpesh nuk mund të i’a dalë dhe si pasojë vjen deri te divorci. Fatkeqësisht edhe xhelozia është shkak i shpeshtë i divorcit, sepse ne shpesh nuk mund ti kontrollojmë emocionet tona dhe xhelozia e tepërt, krijon probleme të mëdha deri tek dhuna në familje dhe vrasja”, ka thënë Brajshori për portalin Dukagjini.
Sipas Brajshorit, problemet ekonomike në mbarë botën janë si nismëtarë të divorcit.
“Në momentin që nuk ka mirëqenie si pasojë e kushteve ekonomike fillon grindja dhe dhuna, e cila përfundon me divorc. Po ashtu edhe problemet shëndetësore, sidomos ato mendore dërgojnë te divorci sepse njëri nga pala në çift nuk është e gatshme ta kalojë jetën me probleme të tilla”, ka shtuar ai.
Sipas tij, divorcet janë rritur kohëve të fundit si pasojë e shkollimit dhe avancimit akademik të gjinisë femërore.
“Femra sot e cila është e shkolluar, ka një punë dhe të hyra të mjaftueshme, nuk dëshiron që të jetë pre e dhunës së burrit apo familjes së burrit, sepse i ka kushtet që të jetojë vetë dhe të vendosë vetë për jetën e saj, ndërsa në të kaluarën kemi patur shumë raste ku femra në mungesë të kushteve dhe shkollimit adekuat është dashur që të sakrifikojë jetën e saj për arsye të sistemit patriarkal”, ka përfunduar Brajshori.
Ndërsa sipas psikologes, Kaltrina Haziri-Canolli, divorci është në rritje e sipër kohëve të fundit, për shkak të mungesës së komunikimit në çift.
Ajo për portalin Dukagjini ka thënë se arsyet tjera që ndikojnë në rritjen e rasteve të divorcit janë pavarësimi i të dy palëve, të mos pasurit interes apo ambicie të njëjta, dhe mungesa e pavarësimit financiar.
Po ashtu, sipas saj, arsye të tjera janë mungesa e intimitetit, mungesa e aftësisë për zgjedhjen e problemeve, mos dëshira e të paturit fëmijë, martesa e cila ka ndodhur për arsye të gabuara, mungesa e respektit dhe dashurisë mes veti si dhe moslejimi i vazhdimit të lidhjeve familjare,e po ashtu dhuna fizike dhe psikologjike.
Sipas psikologes, efektet e divorcit janë të larta, kjo për shkak se nëse një çift kanë fëmijë atëherë ndikimi më negativ është te femijët, te të cilët ndikohet aspekti emocional e psikologjik, e kjo siç thotë ajo, pastaj ndikon në uljen e aftësive akademike të tyre.
Por sipas saj, ndikimi i divorcit është i drejtpërdrejtë edhe te të rriturit, kjo për faktin se mbarimi i martesës mund të ndikojë në një nivel më të ulët të lumturisë, në probleme financiare, në shfaqjen e stresit apo dhe depresionit, humbjes në peshë, në përdorimin e substancave narkotike dhe vështirësi në krijimin e një lidhjeje të re romantike.
Si në vende tjera ashtu edhe në Kosovë, standardi i jetesës për secilin nga partnerët pas divorcit është i ulët, pasi shkaqet janë të shumta dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në shoqëri.
Sipas studimeve, dy në katër gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti skemat sociale në favor të fëmijëve, ndërsa disa të tjerë për shkak të divorcit humbasin punën, të tjerë edhe banesën, për t’u përballur më tutje me qiratë e banesave.
Në rastet e dhunës nga ish-bashkëshorti apo pamundësive fizike, u duhet të lënë banesat dhe të strehohen ku të munden.
Të gjitha këto ndikojnë në standardin e jetës së tyre, e cila është një kosto shtesë për çdo familje në këto kushte, po ashtu edhe për shoqërinë, duke evidentuar që në të gjitha rastet që secili prej tyre rezulton i papunë, i drejtohen shtetit për ndihma sociale.