Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka thënë se drafti i statutit të Asociacionit që do ta pranojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë më i keq se ai që e ka publikuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në emisionin “FIVE”, Nushi ka thënë se këtë e thotë mbi premisat që janë duke u diskutuar në publikimet e fundit.
“Nuk mund të flas me sigurinë e plotë, nuk dua të lëshohem në spekulime, po i komentojmë ato që janë logjike dhe rrjedhën e dialogut. Ka filluar me as asi dhe ksi tashmë po pranon drafte, është zhdukur ajo që Kosova nuk duhet të pranojë Asociacionin. Drafti që do ta pranojë Kurti do të jetë më i keq se i Ramës”, ka thënë Nushi.
Ai ka ironizuar me një shprehje të Kurtit “nuk hyn qerrja para Kalit”, duke thënë se “qerrja ka hyrë brenda” dhe se “i vetmi kali që e ka sjellë qerren para se me hy vetë është Kurti”.
“Nuk hyn qerrja para Kalit, qerrja ka hyrë brenda, nuk e di kush është kali që e sjelli, i vetmi kali që e pruni qerren para se me hy vetë është Kurti. Ky draft është shkatërrues për
Kosovën. Një instrument që do të ketë karakteristika autonomiste, është e pafalshme për Kurtin”, ka thënë Nushi.
Ndërsa, Egzon Osmanaj nga FES ka thënë se është e rëndësishme që ky draft të publikohet sa më parë.
“Kemi parë shumë drafte, ide, kemi pasur paqartësi në lidhje me këtë. Është në interes të qeverisë dhe të tjerëve që të jetë më transparent. Nuk e di idenë e emisarëve që të jetë i paqasshëm njëherë. Është e rëndësishme të publikohet sa më parë”, ka thënë Osmanaj.