Noli Nushi përfaqësues i Partisë Social Demokratike (PSD) ka folur në lidhje më subvencionimin e 100 eurove për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se kjo është kohë e krizës që po ndikohet edhe nga lufta në Ukrainë.
Sipas Nushit qeveria nuk e ka bërë subvenvionimin në formën e duhur, pasi sipas tij të gjitha kategoritë që po i marrin nga 100 euro, nuk po shikohen dallimet a ju takojnë shtresave të ulëta apo të larta.
Nushi ka thënë se ndihma nuk është dhënë në kohë, pasi më shumë se një muaj që janë premtuar këto para.
“100 eurot qeveria i ka dhënë sa mos me thënë se s’kanë bërë asgjë, nëse e dëgjoni qeverinë duke folur për situata, ata flasin çdo ditë për rritje ekonomike e hapje të vendeve të punës ndërsa, realiteti është ikja e njerëzve për kushte më të mira ose për punë, sepse tani kemi ulje të fuqisë blerëse pasi nuk ka rritje pagash por, vetëm ngritje çmimesh”, ka thënë Nushi në FIVE në RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se pagat kanë mbetur të njëjta derisa çmimet janë rritur. Qeveria sipas tij, ka bërë gabime pasi ka “bërë politika që i targeton blerësit e ndërsa është dashur që të targetohen çmimet”.
Tutje ai ka thënë qeveria ka mundur t’i lirojë nga taksat produktet bazike.