Anëtari i Partisë Social Demokrate (PSD), Nol Nushi, për marrëveshjen e energjisë, e cila është nënshkruar të martën e 21 qershorit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo është një marrëveshje që po derivon nga një proces tashmë i kontaminuar i dialogut që nuk ka sjellë rezultate.
Sipas tij, ky dialog është me marrëveshje të vogla dhe teknike, dhe pa marrëveshje përfundimtare që zgjidh problemet e vendit.
Në emisionin “Five”, ai ka thënë se kjo marrëveshje është nënshkruar në vitin 2013, ndërsa sot është nënshkruar vetëm një pjesë e saj, e cila do të aplikojë atë që është nënshkruar më parë.
Sipas tij, arsyetimet e VV-së për këtë marrëveshje, janë banale që nuk pinë ujë.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje(VV), nuk është votuar që të vazhdojë rrugën e njëjtë të dialogut të viteve të tëra të një procesi teknik pa përfundim, por është votuar për të sjellë ndryshime.
“Kjo marrëveshje, është vetëm konfirmim i një dialogu teknik, ku Kosova do të përfundojë pa njohje dhe marrëveshje finale”, ka thënë Nushi.
Sipas tij, alternativë të dialogut teknik pa njohje, nuk ka tjetër përveç ripërcaktimit të kufinjve, që njëherë e përgjithmonë do të eleminonte problemet e ngrira si Veriu i Kosovës.
Ndërsa në aspektin politik, ai për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka asnjë pikë parimore, programore, qëndrim politik, të cilës i ka qëndruar pas.
Sipas tij, Kurti është në vijueshmërinë e hipokrizisë së tij, sepse marrëveshja për të cilën thoshte që është e keqe shumë e madhe, sot po nënshkruhet nga ai.
“Nuk kanë asnjë pikë ndryshe nga marrëveshjet e mëhershme, ndoshta mund ta kisha kuptuar, nëse do të ndryshonte diçka, është copy-paste i marrëveshjeve të kaluara”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Kurti është një udhëheqës politik që ka mashtruar gjatë fushatave.
“Sa ishte në opozitë e kundërshtonte marrëveshje të tilla, ndërsa kur vjen në pushtet pa asnjë dridhje të qerpikut, po i nënshkruan këto, që të gjitha i ka kundërshtuar përgjatë atyre viteve”, ka theksuar Nushi.
Sipas tij, përgjatë viteve ka pasur arrestime, fyerje e mund të aktivistëve të VV-së, prandaj siç thotë ai, me një nënshkrim të lehtë të kësaj marrëveshjeje të sotme, është hedhur në shportë i gjithë ai mund.