Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, e ka parë me shqetësim Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Kosovën.
Sipas tij, në raportin e DASH-it shfaqet korrupsioni i lartë i Qeverisë së Kosovës.
“Ka kohë që po e themi dhe që po ndodh që Qeveria dhe qytetarët po jetojnë në realitete paralele. Ne qytetarët jemi që vuajmë çdo gjë të kësaj Qeveria dhe është Qeveria që po jeton në një realitet ku gjithçka është në rregull, kushtet janë të mira e pagat janë të larta dhe nuk ka korrupsion. Ndërkohë Raporti i Departamentit të Shtetit flet për korrupsion serioz qeveritar në nivele të larta të korrupsionit dhe po ashtu shumë shqetësuese është edhe dhuna mbi baza gjinore nga e cila kjo Qeveri nuk është që ka bërë diçka, rezultatet janë pothuajse identike me ato të viteve të kaluara”, ka thënë ai në EO.
Po ashtu, ai ka thënë se korrupsioni tregohet edhe me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Nushi thotë se, derisa Qeveria nuk e shkarkon ambasadorin Berishaj, tregon qartë nivelin e lartë të korrupsionit.
“Korrupsioni është i lartë dhe kjo tregohet vetëm me faktin e Martin Berishajt. Nëse për një vit po bëhet dhe ai nuk po shkarkohet me të gjitha ato shkelje dhe me ato transaksione milionëshe të dyshimta, tregon që Qeveria është kokë e këmbë e përfshirë në ato afera, vetëm që problemi është se disa nga to po i dimë e nuk i dimë të gjitha”, thotë Nushi.
Një tjetër gjë shqetësuese e sheh edhe dhunën mbi baza gjinore, për të cilën thotë se nuk ka rezultate nga e kaluara.
Korrupsioni serioz qeveritar dhe mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej probleme më serioze në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën.
Probleme të tjera në raportin për vitin 2022 përfshijnë edhe forma të tjera të dhunës, si dhe krime apo kërcënime ndaj minoriteve etnike e grupeve të tjera të margjinalizuara.
Teksa e ka publikuar raportin, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se raportet e publikuara për një pjesë të mirë të vendeve të botës demonstrojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar të drejtat e njeriut në botë.
DASh: Korrupsioni qeveritar dhe dhuna me bazë gjinore, ndër problemet kyçe në Kosovë