“O Albin ti ku je?”, është një nga brohoritjet e protestuesve.
Protesta e veteranëve të luftës po vazhdon të zhvillohet në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Teksa po shprehin kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre, protesta po zhvillohet në mënyrë të qetë.
Policia e Kosovës është solidarizuar me protestuesit, teksa shihen duke u shpërndarë shishe me ujë.
Ata kanë thënë se policia nuk duhet të sulmohet, pasi thonë se disa prej tyre janë shokët e tyre të luftës.
Policia ka bllokuar edhe hyrjen pas ndërtesës së Kuvendit.
Veteranët kanë akuzuar pushtetin për provokime.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nga dritaret e Kuvendit të Kosovës se disa persona po provokojnë duke bërë gjeste me gishta.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve të mos përleshen me policinë.
Turp, e ka quajtur një veteran sjelljen e qeverive që nuk po sigurojnë të drejtat e veteranëve të luftës.
“E bëmë luftën me përkrahjen e popullit, diasporës, me përkrahjen e Shqipërisë, e fituam lirinë me përkrahjen e NATO-s, pa president, pa kryeministër, pa ministra, pa deputetë, pa ligj, me të vetmin ligj moral – liri a vdekje. Prandaj qeveritë tona të na sjellin në këtë gjendje, është turp për ta, është mjerim për ta”, ka thënë ai.